Prezantohet programi i ri për punësimin e studentëve në administratë, pavarësisht mesatares

Ditën e sotme u hap zyrtarisht thirrja e katërt e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, i cili i lejon të rinjve midis moshës 21-26 vjeç të fitojnë përvoje pune në institucionet qëndore, ato vendore apo në biznesin privat.

Kryeministri Rama njoftoi për hapjen e kësaj thirrje në rrjetet sociale, duke ftuar njëkohësisht sa më shumë të rinj që të bëhen pjesë e programit.

Së bashku me platformën “Punë të Mbarë”, programi Kombëtar i Praktikave të Punës përbën një mekanizëm të drejtëpërdrejtë të punësimit të të rinjve në administratë ose në sipërmarrje.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndryshimi i vetëm është që nëse në platformën “Punë të Mbarë” mund të aplikojnë vetëm ekselentët, Programi i Praktikave është i hapur për të gjithë studentët, pavarësisht mesatares së tyre.

Swiss Digital Mobile Reklama

Për këtë vit janë në total rreth 2 mijë vende të lira, në 15 institucione qëndrore, 105 institucione të varësisë dhe 50 bashki në mbarë vendin.

Midis kompanive më prestigjioze që do të pranojnë studentë përmes këtij programi renditen: “Posta Shqiptare sh.a.”, “Albtelecom”, “Telekom Albania”, “Albpetrol sh.a.”, “Intesa San Paolo Bank”, “FIBank”, “Credins Bank”, “Alpha Bank”, “Shoqata e Siguruesve Shqiptarë”, “Real Deal”, “Institucioni financiar NOA”, “Institucioni financiar Kredo.al”, etj.

Kushti i vetëm për të aplikuar në këtë program është pasja e një diplome bachelor. Të gjithë të rinjtë që plotësojnë këtë kusht mund të bëhen pjesë e programit.

Ashtu si në tre edicionet e mëparshme, programi do të ndahet në dy faza. Në fazën e parë, e cila zgjat tre muaj, do të zhvillohet një praktikë pune pa pagesë, në institucionet apo kompanitë e përzgjedhura.

Të rinjtë që do të kenë rezultatet më të mira gjatë praktikës së punës do t’u ofrohet një kontratë 1-vjeçare, në institucionin ku kanë realizuar praktikën e tyre.

Përvoja e viteve të mëparshme tregon që shumë prej këtyre studentëve, pas kontratës së parë 1-vjeçare kanë përfituar një kontratë pa afat, në institucionin apo kompaninë ku janë afirmuar vetëm falë rezultateve të punës së tyre.

Paralelisht, janë duke vijuar aplikimet në platformën “Punë të Mbarë”, e cila do të mundësojë punësimin e drejtëpërdrejtë të ekselentëve në institucionet publike.

Interesi për këtë platformë ka qenë tepër i lartë, me rreth 1 mijë aplikime deri më tani.

Ndonëse afati i aplikimeve ishte nga data 11 janar-10 shkurt, qeveria ka shtyrë afatin për studentët që nuk kanë mundur të tërheqin dokumentacionin nga sekretaritë e Fakulteteve, për faj të bllokimeve apo bojkotit të disa pedagogëve gjatë kësaj periudhe.

Në thirrjen e parë të “Punë të Mbarë” janë në total 803 vakanca. Kriteri i vetëm në përzgjedhje është mesatarja, me më të mirët që do të mund të zgjedhin të parët, e të gjithë të tjerët sipas një hierarkie zbritëse.

Aktualisht, janë përzgjedhur 400 kandidatët e parë potencialë, punësimi i të cilëve është në proces, e në vijim po punohet për plotësimin e të gjithë vendeve të lira.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?