Princ Leka: “Rroftë Shqipëria dhe populli shqiptar i bashkuar”

 

Në këtë ditë të shënuar, nuk ka se si të mungojnë dhe urimet e krerëve të shtetit. Në një postim në facebook, Princ Leka si pjesë e Mbretërisë Shqiptare, nuk është mjaftuar vetëm me një urim për këtë 103-vjetor. Ai ju ka bërë thirrje klasës politike, që të bashkojë forcat e të mposhtë të keqen, që ka vendi. Ai ka përgëzuar me këtë rast dhe punimet për pranimin e Kosovës, në organizatën e UNESCO-os.

Urimi që vjen nga familja Mbretërore, është në këtë mesazh:"Familja Mbretërore ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e 103-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë! Në Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë rikujtojmë me nderim të madh Etërit e Kombit, përpjekjet e të gjithë atyre që kontribuar për ndërtimin e identitetit dhe shtetit shqiptar, prej të cilëve trashëguam vullnetin për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo ditë thërret po ashtu në mendjen tonë, me më shumë forcë se ditët e tjera, nevojën e bashkimit të  gjithë shqiptarëve për të punuar me përkushtim e ndershmëri në dobi të interesave të popullit dhe kombit"

"Kriminaliteti, korrupsioni dhe trafiqet, janë fenomene të cilat shqiptaret nuk i meritojnë, ndaj duhet t’i refuzojmë me forcë dhe t’i luftojmë bashkërisht. Po ashtu, nuk i meritojmë dhe nuk duhet të pranojmë krizat politike në trojet tona, sepse ato përveç se pengojnë reformat e nevojshme, dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të vendeve tona dhe jetesën e qytetarëve. Mbi të gjitha thellojnë krizën e besimit ndaj politikanëve, pushtetarëve dhe institucioneve, rrezikojnë proceset demokratike dhe ardhmërinë tonë. Ato dëmtojnë aspiratat europiane të shqiptarëve, raportet tona me partnerët ndërkombëtarë, stabilitetin dhe balancat me fqinjët dhe vendet e rajonit"-shton më tej princ Leka, në emër të familjes Mbretërore.

R.Shtylla

SHKARKO APP