Prindërit përballen me vrasësit e vajzës, njëri shqiptar

Kjo e hënë do të shënojë nisjen e procesit gjyqësor për vrasjen e studentes greke, Eleni Topaludhi në Rodos, për të cilën është akuzuar dhe një i ri shqiptar. Prindërit e saj do të përballen për herë të parë me dy të akuzuarit për vrasjen e vajzës së tyre, përkatësisht shqiptarin Aleksandër Luca dhe grekun Manolis Koukouras.

Procesi gjyqësor do të nisë me dëshminë e prindërve të studentes. Edhe pse dhjetëra njerëz u morën në pyetje përgjatë 9 muajve, vetëm 11 dëshmitarë do të dëshmojnë përfundimisht në gjykatë.

Zyrtarë të portit, banorë vendas që gjetën viktimën, një mik i Elenit dhe të afërm të të akuzuarve, do të dëshmojnë në gjykatë sipas mediave greke. Të dy të pandehurit do të transferohen në Gjykatën Athinës nën masa të rrepta sigurie. Që nga e premtja në mëngjes ata janë transferuar në burgun Korydallou për gjykim.

“Ndihem e tmerruar. Nuk ka gjë më të keqe për një nënë sesa të shikojë vrasësit brutalë të fëmijës së saj”,-thotë nëna e studentes greke. Si për ironi të fatit, gjyqi fillon dy ditë para ditëlindjes së Elenit. Të dy të pandehurit kanë akuzuar në vijimësi njëri-tjetrin që nga momenti i parë i arrestimit dhe nuk pritet të ndryshojë diçka as gjatë gjykimit.

SHKARKO APP