Prioritet për vitin 2020, Voda: Krimi i organizuar dhe siguria rrugore

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe siguria rrugore do të jenë prioritetet e punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2020, ndërsa pritet dhe miratimi i ndryshimeve ligjore për menaxhimin e kufirit dhe kontrollin e flukseve migratore për ligjit të ri për ”azilin”. Zv/Ministrja e Brendshme, Rovena Voda, gjatë një interviste për ”ATSH”, theksoi se krahas digjitalizmit si prioritet i qeverisë, në fokus të punës së Ministrisë së Brendshme për vitin 2020 janë lufta ndaj krimit të organizuar, siguria rrugore dhe menaxhimi integruar i kufirit me dy ligje të reja që pritet t”i dorëzohen Kuvendit për shqyrtim.

”Dy do të jenë prioritet e mëdhaja kryesore të kësaj Ministrie. Prioriteti i parë mbetet dhe do të jetë lufta kundër krimit të organizuar, që do të intensifikohet edhe pas konkludimit të një drafti ligjor kundër krimit të organizuar. Një ligj që ka kohë që po punohet dhe që do t’i japi një lloj autoriteti Policisë së Shtetit për të ndërhyrë në kohë dhe për të goditur grupet kriminale, duke rritur rolin aktiv dhe operacional të Policisë së Shtetit. Drafti është konsultuar dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe pritet që shumë shpejt të finalizohet dhe të dërgohet në instancat pas-ardhëse për miratim. Ky ligj jam e bindur do të ndikojë pozitivisht në rritjen e rezultateve në luftën ndaj krimit të organizuar në vitin 2020”.

Sipas saj, prioriteti i dytë është siguria rrugore. ”Puna e Policisë Rrugore ka qenë tejet pozitive duke parë që është menaxhuar ndër të tjera dhe një fluks i lartë i qarkullimit rrugor, duke parë se ishin 6.4 milionë turistë, që vizituan Shqipërinë në vitin 2019”. Ajo shtoi se fokus i Ministrisë së Brendshme është edhe modernizimi i Policisë Rrugore.

SHKARKO APP