Prishja e ndërtimeve pa leje, Çuçi: Aksioni do të zhvendoset edhe në zona të tjera

Në javën e parë të operacionit “Bregdeti Ynë” u shembën në Ksamil e Velipojë 35 objekte të ngritura pa leje, me strukturë betoni dhe metalike. Qindra objekte të tjera pritet të shemben deri në fund të qershorit përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, thotë se krahas shembjeve po bëhet edhe pastrimi i zonave nga inertet. Ai paralajmëron gjithashtu se në vazhdim të këtij operacioni mjetet e IKMT do të nisin shembjen e objekteve edhe në zona të tjera veç Ksamilit dhe Velipojës.

”Operacioni “Bregdeti Ynë”- Krahas shembjes së ndërtimeve pa leje, IKMT po bën edhe pastrimin nga inertet që mbeten pas, për të mos krijuar asnjë pengesë për pushuesit apo bizneset e tjera të ligjshme në zonat bregdetare. S’ka kohë për pushim e as do të tërhiqemi nga vendosmëria për të çliruar bregdetin nga gjithfarë ndërtimesh e strukturash të ngritura pa leje. Mjetet e IKMT dhe Policia e Shtetit do të vijojnë në ditët në vazhdim operacionin edhe në zona të tjera bregdetare. Kemi një hartë të plotë ku janë evidentuar qartë të gjitha objektet. Shembja e tyre edhe çlirimi i hapësirave të zaptuara është vetëm çështje ditësh”.

SHKARKO APP