Prishjet për Lungomaren, Leli: Shpronësim vetëm për ndërtesat me dokumenta
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, prezantoi përpara mediave projektin e Lungomare 2, i cili do të vijojë nga zona e Ujit të Ftohtë deri në afërsi të Radhimës.
Leli: Sapo kemi filluar nga fushat e sportit, aty ku mbaron projekti aktual i Lungomares në drejtim të tunelit dhe vazhdimi i projektit të ri që do tu prezantojmë sot nga zona e tunelit në drejtim të Radhimës, në tre kilometrat e para janë vazhdim i ndryshimit rrënjësor të faqes turistike të Vlorës. Në zonën nga fushat e sportit deri në drejtim të tunelit, në atë që ka qenë plazhi i kryetarit, do të ketë pishinë olimpike për qytetarët që sipas studimeve të deritanishme do të jetë një pishinë me ujë deti, një pishinë për fëmijët, do të ketë plazh të dedikuar për të gjithë qytetarët e Vlorës.
Sa i përket objekteve që janë shembur nga IKMT, Leli tha se do të miratohet kompensimi vetëm për ato raste që kanë pasur dokumentacion.
Leli: Ato që prishen përgjatë rrugës nga tuneli deri në Orikum janë sot objekte pa asnjë lloj dokumentacioni. Për objektet e tjera që kanë dokumenta, absolutisht do të ndiqen të gjitha procedurat sipas ligjeve të shtetit shqiptar për shpronësime në momentin që do të ketë raste apo për çdo lloj dëmshpërblimi që lidhet me pronat e këtyre qytetarëve.
Financimi i projektit nga Uji i Ftohtë ku përfundon aktualisht Lungomare deri te tuneli shkon në vlerën 4 milion euro.