Pritje madhështore për Lulzim Bashën në Korçë
Qytetarët e Korçës kanë dalë masivisht sot për të pritur kreun e PD, Lulzim Basha. Qytetarët kanë dalë me mijëra që në hyrje të qytetit për të pritur autokolonën e makinave që shoqëronin kreun e PD-së.
Basha tha se kurrë nuk ka gjetur kaq shumë gëzim dhe se korçarët nuk po e presin ndryshimin, por po i prijnë atij. “Ndonëse po lëmë pas 8 vite të mbushura me vuajtje, kurrë nuk kam gjetur kaq shumë gëzim në zemrat e korçarëve. Në hyrje të Pogradecit, tek fytyra e rinisë që më kishte në hyrje të Korçës, tek njerëzit që ecnin, anembanë e ndiej shpresën tuaj, ndryshimin që po vjen. E di që e keni ndrydhur brenda zemrës, dëshirën për ditën që po afron. Dhe ju nuk e përmbani dot dëshirën për ndryshim. Një ndryshim rrënjësor që e prisni prej kohësh, një ndryshim që do ju kthejë dinjitetin ju simbol i qytetarisë. Ju nuk po e prisni ndryshimin, ju po i prini ndryshimit”, deklaroi Basha.
Kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë ndalesën e radhës në një vend të veçantë për qytetarët korçarë. Basha ka hyrë në vendin e quajtur “Lëndina e lotëve” që simbolizon vendin e ndarjes dhe lotët e familjarëve për personat që kanë emigruar.
Në këtë vend, për vite me radhë, kanë ndezur qirinj, mes lutjeve dhe shumë lotëve, për fëmijët e tyre që niseshin për emigrimin. Këtë ritual e kreu dhe Basha, duke ndezur një qiri, për një nga problemet që vazhdon të jetë aktual edhe për ditën e sotme, siç është dhe emigrimi. Basha në daljet e tij publike në fushatën elektorale, ka nënvizuar faktin se një nga plagët që po vuan sot vendi është largimi i të rinjve nga Shqipëria.


Takimet e kreut të PD, @lulzimbasha_al në Korçë pic.twitter.com/MaYp1LcJXy
— Koha Jonë (@GazetaKohaJone) March 31, 2021
KOHA JONË SONDAZH

