Pritjet e Bashës nga demokratët, Rama sulmon sërish PD
Kryeministri Edi Rama vijon që të sulmojë pritjet që demokratët i bëjnë liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha kjo gjatë takimeve në kuadër të fushatës në qytete të ndryshme të vendit. Sipas Ramës, këto mitingje janë turp i madh dhe papërgjegjshmëri. Në një foto të postuar në facebook Rama ka krahasuar takimin e Bashën në Tiranë dhe takimin e PS në Korçë.
Postimi i plotë
Vaksimi masiv cënohet pa distancimin, që duhet të shkojë paralelisht dhe këto vatra të nxehta infektimi për motive të ulta politike, rrezikojnë ta godasin pas shpine Shqipërinë, teksa po i afrohemi çdo ditë daljes nga tuneli i pandemisë. Kosova po e paguan shtrenjtë fushatën elektorale me njerëzit ngjitur njëri pas tjetrit dhe rreziku i rimbylljes është rishfaqur; Malit të Zi fushata i kushtoi një rritje masive infektimesh, plagosjesh e humbje të jetëve; Maqedonia e Veriut po shkon drejt rimbylljes për mungesë vaksinash dhe ndërkohë vende të tjera më të mëdha po vuajnë shtrëngimet, teksa vazhdojnë vaksinimin që për shkak të numrave të mëdhenj nuk po jep ende efektin e vet!
Shumëkush e relativizon dëmin e madh shëndetësor që po mbjellin këto mitingje të papërgjegjshme, disa më shajnë e i përqeshin këto postime të miat, të tjerë flasin përçart për uragane imagjinare apo braktisje të Partisë Socialiste nga populli, por unë do të këmbëngul deri në fund:
Këto mitingje janë turp i madh, papërgjegjshmëri dhe mungesë karakteri e lidershipit opozitar! Janë fytyra e vjetër e antishtetit dhe e rrumpallës antiqytetare të PD-së! Po mbi të gjitha janë rrezik shumë i madh për shëndetin e njerëzve dhe sabotim i hapur i luftës sonë kombëtare kundër Armikut të Padukshëm!
Ky armik nuk pyet për parti e për politikë, godet ku të mundet dhe teksa ne po vaksinojmë pa i ndarë shqiptarët, duke luftuar çdo ditë për ta e me ta si një trup i vetëm, unë ju bëj thirrje të gjithëve: Politika le të na ndajë, po lufta për jetën, shëndetin dhe Shqipërinë përballë virusit vrastar duhet medoemos të na bashkojë!
*PS në Korçë, PD në Tiranë”