Pr/ligji: Nuk do të pritet më 6 muaj për birësimet

 Koha e pritjes për birësim e fëmijëve kontigjent birësimi do të ulet nga gjashtë në tre muaj.

Një projektligj i hartuar nga ministria e Drejtësisë, me mbështetjen e ambasadave të SHBA-së dhe Austrisë në Tiranë, synon uljen e periudhës së pritjes për këtë kategori fëmijësh. Ndryshimet ligjore shoqërohen dhe me ndryshime në Kodin e Familjes, ku parashikohet të realizohet i njëjti ndyshim.

Kjo kohë deri më sot ka qenë 6 muaj pritje në listat e Komitetit Shqiptar të Birësimit(KSHB) për fëmijët, të cilët u propozohen çifteve shqiptare dhe kur nuk arrihet birësimi në Shqipëri, ata u propozohen çifteve të huaja.

Sipas relacionit shoqërues të pr/ligjit, KSHB duke synuar interesin më të lartë të fëmijëve jetimë për gjetje të një familje të përshtatshme, gjykon se procedura e birësimit për fëmijët që i përkasin komunitetit rom apo atyre me origjinë etnike të ndryshme nga ajo shqiptare, fëmijët me probleme shëndetësore me ose pa rrezik për jetën dhe fëmijët e mëdhenj në moshë, përgjithësisht, nuk pranohen për birësim nga aplikantët shqiptarë.

Për rrjedhojë, pritja në lista për një periudhë 6 mujore është një zgjatje e paefektshme për birësimin e fëmijëve në Shqipëri dhe propozuesit e pr/ligjit gjykojnë uljen e kësaj periudhe nga gjashtë në tre muaj. Në këtë formë do të minimizohej risku i institucionalizimit të mëtejshëm të tyre, të cilëve në pamundësi të gjetjes së një familje brenda vendit, do t’iu propozohej një familje përmes birësimit ndërvendas.

Neni 4 i pr/ligjit, parashikon një shtesë në nenin 24, të ligjit bazë, lidhur me çështjen e dhënies, tashmë me afat, të vendimit të Këshillit Drejtues të KSHB-së, të përshtatshmërisë së aplikantit. Deri më sot, një çift që quhet i përshtatshëm vazhdon të jetë i tillë pa ndonjë afat, sepse nuk ekziston një kufizim ligjor lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë që periudha e pritjes së çifteve ështe relative, duke u lidhur ngushtësisht me numrin e fëmijëve kontigjent birësimi, dhe varion nga 1-3 vjet. Për propozimin për birësim mendohet se është i nevojshëm parashikimi në ligj i një afati dy vjeçar, për të konsideruar të përshtatshëm aplikantin dhe, nëse ky i fundit nuk arrin të birësojë fëmijë në këtë afat, do të rishqyrtohet edhe një herë dosja përkatëse për dhënie ose jo të përshtatshmërisë së tij, sërish me afat dy vjeçar, në përputhje me kushtet e reja që mund të ekzistojnë.

Ndryshimet e propozuara nga qeveria vijnë pas një procesi të gjatë konsultimi dyvjeçar të një grupi ekspertësh në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe sidomos ndihmës së dhënë nga ambasadat e SHBA-së dhe Austrisë në Tiranë dhe misioni OPDAT.

SHKARKO APP