Probleme me ngricat në qarkun e Dibrës, mungesë energjie elektrike dhe uji të pijshëm
Banorët e Njësisë Administrative të Kalasë së Dodës prej një jave ankohen se mungon energjia elektrike dhe uji i pijshëm pasi temperaturat kanë shënuar minus -12°.
Po kështu dhe Njësia Zall Dardhë në Bashkinë e Dibrës ka probleme me ujin e pijshëm dhe me mungesën e energjisë elektrike. Sipas banorëve, lartësia e borës arrin në 20cm dhe rrugët e fshatrave janë komplet të bllokuara nga prezenca e akullit në rrugë.
Nuk lëvizin dot fugonat e fshatrave drejt qendrave të banuara, po boshatisen dhe dyqanet e fshatrave dhe s’kanë mundësi furnizimi me miell dhe ushqime të tjera, siç thonë banorët.
Disa fshatra të thella në qarkun e Dibrës janë të izoluar që kur kanë vazhduar reshjet e dëborës. Banorët bëjnë apel për ndihmë instancave përkatëse.