Problemet e para/ Mungojnë disa komisionerë të PD, s’nis procesi në Vorë! Vështirësi në zonat e thella të Shkodrës
Sot mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale. Sipas raportimeve të para, në Vorë nuk ka nisur ende procesi i votimit, kjo pasi nuk kanë mbërritur disa komisionerë të PD-së. Probleme ka edhe në zonat e thella malore të Shkodrës, ku kutitë e votimit kanë mbetur në borë.
Dy njësi administrative, Shosh dhe Pult, nuk ka nisur ende votimi, teksa kutitë e votimit kanë mbetur në borë. Pritet që çdo gjë të jetë gati pas rreth 30 apo 40 minutash, në mënyrë që qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit.
654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, Shkodër, Dibër dhe Durrës mes kandidatëve të PS, PD e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”. Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar.