Procesi Mësimor/ Shahini: 3 mënyrat sesi do të mësohet online
Nëpërmjet një video-mesazhi të postuar në rrjetin e saj social facebook, ministrja e Arsimit, Besa Shahini u ka dhënë përgjigje disa prej pyetjeve përmbajtësore për leksione të caktuara të ngritura nga nxënës apo prindër nëpër kanalet e ndryshme të rrjeteve sociale.
Si mund të mësohet online?
Janë 3 mënyra të ndryshme për këtë: 1) nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm të nxënësve me mësuesit, ndërsa inkurajoi nxënësit të jenë në kontakt me mësuesit e tyre. “Sot që flasim, janë diku 70% të nxënësve tashmë në kontakt me mësuesit e tyre. Synojmë që ta çojmë në 100%, për aq sa është e mundur”, shprehet ajo; 2) RTSH, i cili po i transmeton leksionet e unifikuara për të gjithë nxënësit në nivel kombëtar; 3) kanali në youtube i MASR, ku janë të gjitha videot që po regjistrohen, jo vetëm këto që po i transmetohen në RTSH, por edhe ato që po dërgohen nga mësuesit në mënyrë individuale.
A është mbyllur shkolla edhe për mësuesit apo vetëm për nxënësit?
Shkolla është e mbyllur për të gjithë”, teksa shtoi: Ne po punojmë me një grup të vogël mësuesish, të cilët po na ndihmojnë të bëjmë leksionet e fundit që duhet t’i mbyllim për këto dy javë që t’i transmetojmë në RTSH. Por edhe me ata mësues me të cilët po punojmë, po marrim të gjitha masat e mbrojtjes së tyre dhe tonën, duke qëndruar larg njëri tjetrit në distancë 1.5 deri në 2 metër, duke i larë duart shpesh, dhe duke mos u grumbulluar në grupe me më shumë se dy ose tre persona përgjatë inçizimit të leksioneve. Kështu që, shkollat janë të mbyllura për të gjithë dhe ne po punojmë me një grup të vogël mësuesish, të cilët po i mbrojmë maksimalisht”.
Studentët dhe angazhimi i tyre në vijim
Për studentët, në kuadër të “Paktit për Universitetin”, kemi të vendosur në dispozicion një bibliotekë online, e cila është falas për të gjithë. Aty ka miliona artikuj shkencorë, qindra mijëra libra akademikë, si dhe 30 kurse për mësimin e gjuhës së huaj. Ne inkurajojmë studentët që në këtë periudhë 2-javore të shfrytëzojnë duke kryer detyrat e kursit që kanë për lëndët e ndryshme duke lexuar sa më shumë për artikujt që janë në dispozicion të tyre pa pagesë dhe duke u përgatitur për fillimin e mësimit në fund të muajit mars.