Proda inspekton në terren masat e sezonit turistik 2025
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, inspektoi këtë të shtunë masat e marra për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik në qytetin bregdetar të Sarandës.
I shoqëruar nga drejtues të lartë të policisë së kufirit dhe të qarqeve përkatëse, Proda zhvilloi një takim me forcat e rendit të angazhuara në terren, ku dha udhëzime të qarta për përforcimin e kontrolleve dhe rritjen e pranisë policore në zonat turistike.
Gjatë inspektimit, Proda theksoi se “siguria është pasaporta jonë”, duke kërkuar monitorim të vazhdueshëm të plazheve, kontrolle të rrepta ndaj mjeteve lundruese dhe tolerancë zero ndaj zaptimit të hapësirave publike. Ai nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e një reagimi të shpejtë ndaj rasteve të ndotjes akustike.
Një tjetër pikë e rëndësishme në vëmendjen e Drejtorit të Policisë ishte menaxhimi i fluksit në pikat kufitare. Ai kërkoi masa shtesë për shmangien e radhëve dhe përmirësimin e sigurisë në akset rrugore, përmes përdorimit të teknologjisë inteligjente.
Në përfundim të takimit, Proda apeloi që punonjësit e policisë të jenë shembull në sjellje dhe komunikim me qytetarët dhe turistët, duke theksuar se ata përfaqësojnë kontaktin e parë të vizitorëve me vendin tonë.
KOHA JONË SONDAZH

