Profecitë e Ben Blushit

Nga Demush Shasha-

Në sipërfaqe Edi Rama dhe Fredi Beleri nuk kanë pikë të përbashkëta, por në zgjedhjet e fundit lokale ata jetësuan Kadim Sedinin me tërë cinizmin, ironinë dhe fatkeqësinë e “Kandidatit”
“Mendoj se ne duhet t’i bindim votuesit që, megjithëse Kadim Sedini ka vdekur, dhe ky është një fakt që nuk mund të mohohet, sërish ia vlen ta votojnë atë më shumë sesa kandidatin kundërshtar”. – Kandidati Ben Blushi, 2015.

Asnjë shkrimtar i letërsisë fiktive nuk ëndërron se veprat e tij do të shndërrohen në realitet, por këtë fundjavë zgjedhjet lokale në Shqipëri e shpërblyen Ben Blushin me këtë dhuratë. Në vitin 2015 Blushi publikoi romanin “Kandidati”, ku rrëfen ngjarjen e zgjedhjeve bashkiake të cilat fitohen nga një kandidat i vdekur: Kadim Sedini. Kjo arrihet përmes një komploti kurioz dhe zbavitës i cili në epiqendër të tij ka thashetheme, dramën familjare, akuzat dhe kundërakuzat për sjellje antikombëtare të kundërshtarit të tij politik. I gjithë ky komplot shkakton një kaos në qytetin e vogël dhe fiktiv të Basenit, kaos i cili në zenitin e vet arrin çmendurinë më të madhe: i ndjeri Kadim Sejdini fiton zgjedhjet.

Në çdo kuptim politik Fredi Beleri “vdiq” dy ditë para zgjedhjeve lokale në Himarë. Pasi që kundërshtari i tij, kryeministri Rama, e akuzoj për sjellje antikombëtare në Himarë, ai u arrestua dy ditë para zgjedhjeve nën akuzat e dyshimta për blerje votash në një vend ku blerja e votave është më shumë rregull se përjashtim. Me vetëdëshirë z. Rama u bë protagonist zbavitës i gjithë këtij komploti, duke sulmuar z. Belerin me “maskara”, “analfabet funksional”, “dru”, “kokërr injoranti”, ndërsa në anën tjetër bënte ftesë për “sa më shumë urtësi dhe vetëpërmbajtje”. Përkundër gjithë kësaj, Fredi Beleri, sikur Kadim Sedini, i fitoi zgjedhjet. Njëri nga burgu, tjetri nga varri.

Ndonëse më i veçanti, episodi kurioz i Fredi Belerit nuk ishte i vetmi tregues i anomalisë së zgjedhjeve të fundit. Gjatë këtyre zgjedhjeve Shqipëria u bë vend i vetëm demokratik ku kryeministri i vendit u bëri thirrje të hapur qytetarëve të mos dalin në zgjedhje, dhe në vend të kësaj “t’ia fusin gjumit”. Dhe, po ashtu, Shqipëria u bë vendi i vetëm demokratik ku kryeministri hapur pranoi se do të ndëshkojë qytetarët e qyteteve me ndaljen e fondeve në rast të votimit të kandidatëve opozitarë. Por për të kuptuar anomalinë e këtyre zgjedhjeve nuk është dashur të bësh analiza dhe hulumtime politike, mjaftonte të bësh një shëtitje nëpër Shqipëri. Ka qenë përvojë ogurzezë kur kam kuptuar se nga Morina në veri e deri në Ksamil në jug, të gjithë bilbordat ishin të okupuar me mesazhet e mazhorancës. Në 408 kilometra, nga veriu në jug, kishte zero bilborda opozitarë.

Këto episode të anomalisë së fushatës zgjedhore prodhuan epilogun më jonormal zgjedhor në historinë e Shqipërisë: Partia Socialiste fitoi pothuaj të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Tani demokracia e Shqipërisë nën Edi Ramën i është bashkuar Serbisë së Vuçiqit si demokraci ku mazhorancat kanë kapur suksesshëm të gjitha nivelet e pushtetit institucional. Në të dy vendet partitë në pushtet kontrollojnë pozitën e presidentit, legjislativit, ekzekutivit qendror dhe komunat. Në të dy vendet partitë në pushtet tërthorazi kontrollojnë institucionet e pavarura, bizneset dhe mediat. Në të dy vendet partitë në pushtet kanë siguruar përçarjen dhe dobësimin ekstrem të opozitës përmes mjeteve politike të pushtetit. Në të dy vendet zgjedhjet janë shndërruar në fasadë politike, e cila shërben për të fshehur pushtetin autokratik të cilin dy liderët e kanë ndërtuar brenda vendeve të tyre respektive. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, sot Rama dhe Vuçiqi nuk ndajnë vetëm demokracitë identike, ata ndajnë edhe investitorin kyç strategjik: Alabarin. Pas ndërtimit të “Beogradit Mbi Ujë” së bashku më Vuçiqin, tani Alabari vjen tek Rama për ndërtimin e “Durrës Yacht Marina”.

Përmes kësaj pranë vënies së demokracisë së Shqipërisë dhe Serbisë nuk dua të them se dy regjime janë identike në natyrën dhe karakterin e tyre. Patjetër se regjimi në Beograd është pakrahasimisht më joliberal, më i egër dhe më atavistik, por në kuptimin e cilësisë dhe vetive të sistemeve demokratike ato tani ndajnë të njëjtën kategori. Thënë ndryshe, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë kategori tjetër demokratike nga Serbia dhe Shqipëria.

E fillova këtë shkrim me analogjinë në mes Fredi Bejlerit dhe Kadim Sedinit. Por analogjia nuk përfundon këtu. Ironikisht Kadim Sedini dhe Edi Rama ndajnë, po ashtu, një ngjashmëri të madhe. Fushata zgjedhore e Edi Ramës, sikur ajo e Kadim Sedinit, ka vendosur se strategjia më e mirë për të fituar zgjedhjet nuk është që të bëjnë Edi Ramën dhe Kadim Sedinin të pëlqyeshëm, por të bëjnë kundërkandidatin Sali Berisha, si dhe Nef Nosin të papëlqyeshëm. Apo në fjalët e Ramës një “faqezi” të papëlqyeshëm.

Dhe kjo funksionoi. Por ajo funksionoi me një kosto të madhe. Gjatë tërë fushatës zgjedhore kemi parë mesazhe jo fisnike, negative dhe të zymta nga Edi Rama. Ky Edi Rama ishte universe larg Ramës që jemi mësuar: optimist, inspirues dhe plot ngjyra. Kjo zymtësi u reflektua edhe në outfitin e zi që e shoqëroi Ramën gjatë tërë fushatës zgjedhore. Outfiti i zi i Ramës ishte reflektim i brendësisë së zymtë të fushatës. Fushata ishte aq e mbushur me mllef, inate dhe zemërngushtësi saqë nga ajo doli një Rama tjetër. Ky Rama nuk kishte as minimumin e lartësisë, zotnillëkut dhe zemërgjerësisë që të pranonte ftesën për kafe nga i vetmi kryetar i ri bashkie nga kampi opozitar. Brenda dhjetë vjetësh kemi arritur nga Rama “kryeshërbëtori i qytetarëve” te Rama që nuk pranon kafe nga qytetarët të cilët i ka mundur, mposhtur dhe gjunjëzuar.

SHKARKO APP