Profesionet e lira, LSI del kundër rritjes së sigurimeve

 

Deputeti i LSI-­së, Petrit Vasili ka kundërshtuar sot ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore të profesioneve të lira, që parashikon nivelin e pagesës maksimale prej 97 mijë lekësh në muaj.

Kështu, gjatë mbledhjes së sotme në komisionin parlamentar të Shëndetësisë, ai u paraqit në një linjë me grupet e interesit, të cilët janë paraqitur kundër këtyre ndryshimeve.

“Të mbahen si referencë pagat në shtet. Pse bëjmë një diskriminim të tillë?”, tha Vasili gjatë fjalës së tij.

Kurse përfaqësuesi i ISSH-­së, Ali Emini tha se paga maksimale është caktuar nga qeveria dhe se kontributet do të paguhen në bazë të të ardhurave.

“Kontributi do ketë referencë sektorin publik. Paga minimale dhe maksimale është e përcaktuar me VKM”,­ shtoi ai.

Kujtojmë se janë 17 profesione të lira aktualisht, si farmacistët, dentistët, noterët, avokatët, arkitektët, inxhinierët, ekspertët kontabël etj., të cilëve do t’u llogaritet vendosja e detyrimit për të paguar kontributet mbi bazën e pagës maksimale prej 97 mijë lekësh në muaj.

SHKARKO APP