Profesionet e lira, Sali Berisha: Akt që synon një goditje mëshire për qenien tonë kombëtare
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se ajo që po ndodh me profesionet e lira është një akt që synon një goditje mëshire për qenien tonë kombëtare. Berisha tha se profesionet e lira janë disa dhjetëra mijë djem, vajza, burrë, gra, njerëz duhet të pranojmë të zot, të aftë, që kanë vendosur të fitojnë jetën e tyre me profesionin që kanë.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestarëve dhe qëndrestareve, luftëtarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të shqiptarëve. Përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme, që sjellin te shqiptarët me fjalën e tyre të vërtetat e hidhura të këtij regjimi antishqiptar. Të këtij regjimi që me qëndrimet e tij përpiqet të shpërbëjë qenien e kombit shqiptar. Miqtë e mi, çdo ditë njëherë dhe njëqind herë në ditë, duhet t’i përsërisni vetes se jeni shpresa e fundit e këtij vendi.
Se jeni të vetmit që përballeni dhëmb për dhëmb, që denonconi çdo ditë të zezat e këtij regjimi ndaj qytetarëve shqiptarë. Denonconi vjedhjet e pakufishme dhe të paimagjinueshme. Denonconi lidhjet e tmerrshme me krimin që e shndërruan Shqipërinë në narkodiktaturë. Denonconi dhunimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, kombi i vetëm sot me drejtësi të munguar. Denonconi me të drejtë çmimet ndër më të lartat në Europë, ndërkohë që xhepat janë me të ardhura më të ulëtat në Europë.
Denonconi rrënimin e rrufeshëm të kulturës së kombit, institucioneve kulturore kombëtare si kurrë ndonjëherë në ekzistencën e tij të lirë. Denonconi rrokullisjen e pakufishme të arsimit në Shqipëri, rënien në dhjetë vitet e rilindjes së zezë më të madhe në Europë dhe në botë, rënien me 62 pikë në sistemin e PISA-s. Denonconi me të drejtë shpartallimin e sistemit të shëndetësisë. Sot qytetarët e këtij vendi, me shëndetësinë e premtuar falas nga kryehajduti i kombit, paguajnë sipas Bankës Botërore për kujdesin e tyre shëndetësor, më shumë se çdo qytetar tjetër në Europë.
I rreshtoj këto se të gjitha këto janë njëkohësisht shkaqet për shpërbërjen e këtij kombi. Kjo që po ndodh me profesionet e lira është një akt që synon një goditje mëshire për qenien tonë kombëtare. Profesionet e lira janë disa dhjetëra mijë djem, vajza, burrë, gra, njerëz duhet të pranojmë të zot, të aftë, që kanë vendosur të fitojnë jetën e tyre me profesionin që kanë. Që kanë vendosur të mos i vardisen, të mos i luten kujt për punë në shtet, por të ndjekin punën e tyre. Këto profesione, kjo shtresë përbën shtresën e kohezionit të një shoqërie në çdo vend të lirë.
Pikërisht u vendos në mënyrën më arbitrare, më armiqësore ndaj shqiptarëve dhe ndaj tyre, që të tatohen aq sa në asnjë vend tjetër të Europës. Dhe që të detyrohen ose t’i bëjnë të ndaluara shërbimet e tyre për qytetarët, pra të rrisin çmimet, ose të largohen nga Shqipëria. Me eksperiencën që kanë, të shkojnë në vende të tjera dhe qytetarët të mbeten pa shërbimet, të cilat në tërësi janë shërbime jetike për çdo shoqëri, për çdo komb.