Profesori i njohur jep shpresë: Jo frikë, vaksina gati në vjeshtë
Covid-19 ka prekur botën dhe numri i të vdekurëve po rritet dita-ditës. Doktor Genc Sulçebe, mjek në fushën e imunologjisë, thotë se nuk duhet të frikësohemi nga pandemia e koronavirusit, por ai thekson se duhet të kemi kujdes për të mbrojtur me të dobëtit dhe të moshuarit. Ai thekson se duhet të kemi besim se ky infeksion do të përballohet nga sistemi ynë imunitar, i cili është në evoluim të vazhdueshëm dhe për këtë arsye nuk duhet të shkojmë me vrull në qendrat e urgjencës.
“Duhet të qëndrojmë në shtëpi që të mos e përhapim këtë infeksion. Në spitale duhet të shkojnë vetëm ata persona që janë në gjendje të rëndë, që kanë nevojë për oksigjen. Në individë të ndryshëm, disa mund të reagojnë duke mos e shfaqur fare sëmundjen. Këta përbëjnë gati gjysmën e personave të infektuar, por këta mund ta shpërndajnë sëmundjen. Vetëm në 4 apo në 5 përqind të rasteve, gjendja është e rëndë dhe nevojitet që këta persona të shtrohen në spital”.
Sa i përket vaksinës, Sulçebe shprehet besimplotë se ajo do të jetë gati brenda vjeshtës. “Zgjidhja përfundimtare e këtij infeksioni është gjetja e një vaksine. Të dhënat e fundit tregojnë se kjo është e mundshme. Antitrupa të prodhuara në kafshë mbrojnë nga ky virus. Janë gati 20 qendra që punojnë për prodhimin e vaksinës në botë, por nevojiten disa muaj dhe duhet të kemi durim. Brenda vjeshtës, unë besoj se kjo vaksinë do të jetë gati për përdorim në masë”.