Profili i një “killeri” shqiptar, kush qëllon me snajper? (VIDEO)
Emisioni “Unpublished” në Euronews Albania në puntatën e 5-të të, ka trajtuar çështjen e vrasjeve me pagesë, që mesa duket po kthehet në një fenomen në vendin tonë. Nga 23 vrasje që kanë ndodhur për këtë vit pa u mbyllur 6-mujori i parë, disa prej ekzekutimeve dyshohet të kenë qenë të paguara.
Lidhur me ngjarjet e fundit si atentati me snajper në Elbasan apo vrasja e Hekuran Billës në “Komunën e Parisit”, eksperti kriminalist Artan Rexhepi që ka hetuar dhjetëra vrasje dhe thotë se në çdo rast nuk ka krim perfekt. Sipas tij, autorët kanë lënë prova pas por duhet më shumë mbështetje për Policinë Shkencore.
Studiuesi dhe ish-zv. drejtori i Shërbimit informative Shtetëror, Bujar Rama, nënvizon se një killer me pagesë është i prirur të rrjedhë nga një familje me problem dhe me dhunë. Sa i takon atentateve me snajper, Rama tha se shteti duhet të skedojë ish-komandot apo ish-specialët e policisë pasi janë të rriskuar të kalojnë në anën e krimit.
Ky shqetësim mbështetet edhe nga ish-drejtuesi i policisë dhe ish-deputeti, Asllan Dogjani, i cili thekson se në atentatet me snajper, autorët me shumë gjasa kanë formim ushtarak. Sipas Dogjanit, policia duhet t’i rikthehet objektivit të saj, luftës me krimin dhe të mos merret me aksione jashtë kompetencave të saj.