Programi “EU4Schools”/ʺBE për Shkollat”, 19 objekte arsimore të përfunduara deri tani
Përmes një publikimi në rrjete sociale, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Shqipëri, njofton se deri më tani falë Programit ʺEU4Schools” (ʺBE për Shkollatʺ) kanë përfunduar 19 objekte arsimore me përfitues direkt 7.500 nxënës e mësues:
ʺViti që po lëmë pas ka qenë një vit fantastik për Programin “EU4Schools”! Deri më tani, 19 objekte arsimore kanë përfunduar, ku përfitues direkt janë rreth 7.500 nxënës e mësues, të cilët këtë vit shkollor po zhvillojnë procesin mësimor në ambiente më të sigurta dhe tërësisht moderne si asnjëherë më parë!ʺ – shkruhet në publikim.
Ndër të tjera, UNDP në Shqipëri nënvizon se investimi në arsim është investimi më i mirë për të ardhmen, duke cilësuar gjithashtu se:
ʺStandardet bashkohore që ʺEU4Schoolsʺ ofron bazuar në parimet themelore ʺRindërtojmë Së Bashkuʺ dhe ʺRindërtojmë Më Mirëʺ, po iu garantojnë nxënësve mësimnxënie më cilësore dhe po i përgatisin ata pikërisht si bashkëmoshatarët e tyre në shtetet e Bashkimit Evropianʺ.
PNUD në Shqipëri po zbaton Programin “EU4Schools”, financuar nga BE me një vlerë prej 75 milion Euro për rindërtimin/riparimin e 63 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit, 2019, falë të cilit përfitojnë drejtpërdrejtë rreth 24.000 fëmijë, nxënës e mësues.
Përgjatë 30 viteve prezencë në Shqipëri, PNUD ka zbatuar mbi 1000 projekte me përfitues institucionet dhe mijëra qytetarë shqiptarë në një sërë prioritetesh si: reduktimi i nivelit të varfërisë, forcimi i sundimit të ligjit, fuqizimi i grave e vajzave dhe lufta kundër dhunës në familje, fuqizimi i sigurisë njerëzore, krijimi i vendeve të punës dhe mbrojtja e mjedisit.