Programi “EU4Schools”, inaugurohet kopshti “Zarife Hasanaj” në Paskuqan
Ditën e djeshme është inauguruar kopshti Nr. 14 “Zarife Hasanaj” në Paskuqan të Kamzës, në prezencën e të Ngarkuarit me Punë në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Alexis Hupin, Përfaqësueses së Përhershme të UNDP-së, Monica Merino, Ambasadores së Francës, Elisabeth Barsacq, Ambasadorit të Holandës, Reinout Vos, Ambasadores së Polonisë, Monika Zuchniak-Pazdan, Zëvëndësministrit të Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, Kryetarit të Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, fëmijëve, stafit mësimor e përfaqësuesve të komunitetit.
Ky institucion arsimor është riparuar në kuadër të Programit “EU4Schools” (“BE për Shkollat”), ku 250 fëmijë, 10 edukatore dhe rreth 19,000 banorë të komunitetit janë përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij investimi madhor për të ardhmen.
Të pranishmit, pasi ndoqën një orë mësimore edukative të organizuar nga fëmijët mbi sigurinë rrugore, vizituan mjediset e brendshme të kopshtit, ndërvepruan me fëmijët dhe panë nga afër standardet e larta dhe bashkohore që ky kopsht tashmë ofron.
Me shkallë emergjence, rampa e tualete për fëmijët me aftësi të kufizuara; sistem ngrohjeje qendrore me energji elektrike; fasada me sistem kapote e me hidroizolim nga e para të tarracës; ndriçim LED e ndriçim të jashtëm; me sistem kamera, sistem kundra zjarrit e sistem kundra vjedhjes etj., kopshti “Zarife Hasanaj” është pjesë e programit “EU4Schools”, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes një buxheti prej 75 milionë eurosh dhe i zbatuar nga #UNDPAlbania.
Deri tani në kuadër të këtij programi, janë rindërtuar ose riparuar 23 objekte arsimore që prej nisjes së programit në prill të vitit 2020, të cilat u shërbejnë drejtpërdrejtë 7,325 fëmijëve/nxënësve dhe 445 mësuesve.