Programi i Kujdesit Dentar, ministrja e Shëndetësisë: Kabinete të reja dentare në 10 shkolla në Tiranë

Ditën e sotme është lançuar Programi i Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç në shkolla, i mundësuar falë investimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për ngritjen e kabineteve të reja dentare.

Nga shkolla 9-vjeçare “Jeronim de Rada” në kryeqytet, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, bashkë me Ministren e Arsimit Evis Kushi dhe Ministren e Fëmijëve dhe Rinisë Bora Muzhaqi, kanë lançuar programin e ri, i cili do të bëjë të mundur kryerjen e depistimin dhe trajtimit të dhëmbëve falas për fëmijët e shkollave.

“Fëmijët janë të parët në politikat tona, ndaj po vijojmë të investojmë për programe që i shërbejnë shëndetit të fëmijëve dhe mirërritjes së tyre. Sot jemi të gjithë së bashku në shkollën “Jeronim de Rada” për të promovuar një prej programeve shumë të rëndësishme që ne sapo e kemi nisur, që është programi i dentistrisë në shkolla apo kujdesit dentar në shkolla, i cili vjen si një program që po e pilotojmë në Tiranë, në kuadër të një investimi të cilin e ka bërë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për ndërtimin e 10 kabineteve dentare në 10 shkolla të Tiranës”, tha Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, nënvizoi se ky është një program me rëndësi që do të nxisë edukimin shëndetësor tek nxnësit. “Sot jemi për një tjetër projekt me rëndësi që tregon që po i japim vëmendjen shëndetit për fëmijët tanë. Unë e garantoj që së bashku me mësuesit, më të gjithë ekipet, me stafet tona në shkolla do të bëjmë maksimumin që ky program të zbatohet me rigorozitet”, tha Kushi.

SHKARKO APP