Programi i PD-së për Arsimin, Boçi: Kemi hartuar ligj për Shkencën! Akademia do riformohet

Sot Partia Demokratike po prezanton planin për Arsimin, dhe ish-deputeti Luçiano Boçi ka premtuar se në planin e tyre do të ketë një hapësirë të veçantë për komunitetin shkencor. Në fjalën e tij, Boçi tha se demokratët kanë hartuar një ligj për shkencën, duke premtuar edhe depolitizimin e Akademisë. ”Komunitetit shkencor ne do ti japim më në fund Ligjin e ri për Shkencën, inovacionin e zhvillimin por dhe financimin e duhur. Akademia e Shkencave do të shkojë drejt një depolitizimi total dhe reformimi ligjor e strukturor. Ndërsa Libri, si çelës dije, do të inkurajohet dhe do të mbështetet”,-tha Boçi.

Fjala e plotë e ish-deputetit Luçiano Boçi

Pas një kohe të gjatë, shqiptarët po ndiejnë se ndryshimi po vjen. Ata që na ndoqën në prezantimin e programit, e kuptojnë shumë mirë që Shqipëria më në fund e ka një plan! Plani i PD është një plan konkret, i zbatueshëm dhe larg premtimeve boshe por me angazhime konkrete dhe te realizueshme. Një plan i thjeshtë. Dua të ndaj shkurtimisht së bashku me ju, disa nga pikat kryesore të planit: Pikënisje e programit tonë për Arsimin e Lartë është ligji i ri i Arsimit të Lartë.

Ky ligj i mirëkonsultuar, do t’i japë fund epokës së braktisjes së universiteteve publike nga qeveria. Universitetit do t’i rikthehet autonomia funksionale dhe liria e spikatur akademike, përmes mekanizmave financiarë, ligjorë dhe akademikë. Baza e zhvillimit të Arsimit të lartë të sanksionuar në ligj, do të jetë tregu i dijes në një konkurrencë të ndershme vlerash e arritjesh shkencore e akademike, midis institucioneve të arsimit të lartë publik dhe atij jopublik. Rikonceptimi i programeve të Arsimit të lartë profesional, do të orientohet si prioritet për t’i dhënë fund diskriminimit e inferioritetit të diplomimit për profesione te ndryshme. Me ne mësuesia do bëhet profesion i ekselentëve. Në do të kërkojmë të arrijmë synimin sipas parimit, një Universitet-një kampus. Një ligj i mirë ka nevojë për një financim të mirë. Ne do ta bëjmë këtë.

Se bashku me Lulzim Bashen do ta realizojmë këtë plan. Dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë, do të shoqërohet me projektin për Grante të dedikuara për IAL-të, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës fizike, mësimore e kërkimore shkencore si dhe krijimin e Fondacionit shqiptar për shkencë, inovacion dhe zhvillim. Pedagogu mbetet themeli i çdo arritje akademike, shkencore e diplomimi cilësor. Ai është identikiti i Universitetit. Me ne ai do të trajtohen si elitë dhe do të kenë përgjegjësi po si elitë, pa korrupsion, pa plagjiatura e fiktivitet.

Pedagogët do të mirëpaguhen, në një rritje page impresionuese përgjatë katër viteve, deri në 900 euro për lektor dhe 1300 euro për profesor. Për ata do të atashohen fonde në bazë departamenti, për kërkim shkencor të gjithanshëm. Mbështetja e tyre në futjen e teknologjisë në mësimdhënie, do të jetë e vazhdueshme dhe shumëdimensionale. Në universitetin tonë, Studenti nuk do të jetë më klienti, apo blerësi inkonjito i dijes shpeshherë fallco. Ai do të jetë qendra e interesit mësimor dhe qëllimi themelor i punës dhe i funksionit akademik e shkencor të Universitetit. Bursa e plotë për çdo student në ciklin e parë apo të dytë nga familjet me të ardhura nën 64 mijë lekë, do të jetë një ndihmë shumë e madhe për çdo student e familjet shqiptare.

Bursa 50% për studentët nga familjet me të ardhura mbi 64 mijë lekë, vendos një drejtësi sociale të duhur. Praktika e paguar (30,000 lekë) për 10 mijë studentë, për një vit pasi mbarojnë universitetin, do t’i japë një mundësi të artë çdo të riu, për t’u integruar në tregun e punës dhe për t’i dhënë vlerë diplomës. Ne do t’i japim fund diskriminimit universitar, duke shembur çdo barrierë formale komunitare, ekonomike, mesatareje që dëmton meritën, preferencën por dhe talentin e të rinjve tanë.

Me ne, çdo të riu do t’i mundësohet vazhdimi i shkollës së lartë. Ne duam dhe do ta realizojmë që ata të studiojnë këtu, të bëjnë karrierë këtu, të zhvillojnë vendin e kombin. Në programin tonë orientohet Krijimi i Akademisë së Ekselencës për financimin e më të mirëve drejt 15 universiteteve më të njohura të botës. Njëherazi që do të synojmë, nëpërmjet ofertave konkrete, thithjen në ekzekutiv e administratë të atyre të diplomuar prej vitesh jashtë dhe negociimin e kontributeve për vendin, të atyre që financohen me bursa ekselence.

Komunitetit shkencor ne do ti japim më në fund Ligjin e ri për Shkencën, inovacionin e zhvillimin por dhe financimin e duhur. Akademia e shkencave do të shkojë drejt një depolitizimi total dhe reformimi ligjor e strukturor. Ndërsa Libri, si çelës dije, do të inkurajohet dhe do të mbështetet. Miqtë e mi! Për 8 vite Rama e shkatërroi sistemin tone arsimor. Ne me kryeministër Lulzim Bashën do të bëjmë ndryshimin e nevojshëm, për të cilin shqiptaret kane kaq shume nevoje.

SHKARKO APP