Programi i PD-së, Teliti: Ngritje e instrumenteve që luftojnë korrupsionin
Shefi i Kabinetit të kryetarit të PD-së, Dorian Teliti për ”Ora News”, ka dhënë detaje në lidhje me programin e PD pas zgjedhjeve të 25 prillit. Teliti është ndalur në uljen e numrit të inspektorateve që kontrollojnë punën e bizneseve shqiptare, teksa ka shtuar se është planifikuar edhe një luftë agresive ndaj korrupsionit në vend.
”Kjo është çështje me karakter teknik. Ulja e numrit të licencave do të bëhet duke shkrirë disa inspektorate që ekzistojnë, të tëra me anë të një pune një vjeçare të qeverisjes do të bëjnë të mundur thjeshtësimin e kësaj procedure dhe kësaj gangrene që po i merr jetën biznesit, do të ekzistojnë ato inspektorate qendrore që kur të shkojnë të biznesi së pari ta këshillojnë atë, ta orientojë që të aftësohet për të qenë në formatin ligjor në Republikën e Shqipërisë.
Kjo gjë do thjeshtë vullnet politik, të vendosen njerëzit e duhur dhe të shkrijnë këto dhjetëra inspektorate. Moratorium 1 vjeçar që s’do të ketë gjoba dhe ne do të marrim reformimin në të gjithë inspektoratet në Republikën e Shqipërisë. Kjo gjë nuk mjafton dhe korrupsioni duhet luftuar. Në çdo vend të botës që ekonomitë janë të hapura dhe të tregut, korrupsioni ekziston. Ajo që duhet të bëjë një qeverisje me dy pare mend në kokë është ta luftojë atë. Lufta vjen me vullnet dhe me ngritje të instrumenteve.
Një nga instrumentet që ne do të ngremë në luftën ndaj korrupsionit është ngritja e Agjencisë për Luftën ndaj Korrupsionit, që do të jetë jo thjeshtë një drejtori dhe një institucion i ministrisë, por do të jetë i pavarur. Ne e bëjmë këtë gjë bashkë me partnerët tanë ndërkombëtar, duke marrë eksperiencat më të mira në luftën që ata kanë kryer 20-30 vite më parë në vendet e tyre, duam ta marrim këtë eksperiencë dhe ta implementojmë në Shqipëri. Kjo është tërësisht e mundur dhe do ti jepte një goditje të fortë korrupsionit në Shqipëri”,-tha Teliti.