Progres-raporti i KE për Shqipërinë kritika për pengimin e Komisioneve Hetimore! Përmendet kaosi në Kuvend: Standarde më të larta etike

Në raportin 144 faqe të KE për progresin e Shqipërisë përmendet dhe situata aktuale politike si dhe debatet për ngritjen e komisioneve hetimore. Në raport përmendet fakti që refuzimi i ngritjes së Komisioneve Hetimore nga mazhoranca, ka shkaktuar kaos në punimet e Kuvendit. Raporti i Komisionit Evropian konstaton se e drejta e opozitës për Komisione Hetimore garantohet nga Kushtetuta. Refuzimi i mazhorancës me argumentin qe do ndryshojë ligjin për Komisionet Hetimore nuk qëndron për sa kohë ligji ekzistues është në fuqi.

”Gjatë periudhës raportuese, opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, por mazhoranca i hodhi poshtë të dyja kërkesat, pavarësisht se e drejta e opozitës për të inicuar komisione të tilla garantohet me Kushtetutë. Argumenti i mazhorancës në të dyja rastet ishte se është në shqyrtim një rishikim i ligjit për komisionet hetimore. Ligji aktual, megjithatë, mbetet në fuqi”.

Gjithashtu është përmendur edhe përjashtimi i deputetëve të Rithemelimit nga Kuvendi dhe komisionet parlamentare pas kaosit që ata kanë krijuar duke penguar vazhdimisht zhvillimin e punimeve. Në progres raport nënvizohet se nevojiten standarde më të larta etike, por edhe dialog konstruktiv mes palëve.

“Mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht për refuzimin e kryeministrit për të marrë pjesë në shumicën e interpelancave të kërkuara nga opozita, shkaktuan një ndërprerje të përkohshme në funksionimin normal të Kuvendit. Sekretariati i Etikës vendosi disa masa disiplinore, duke rezultuar në përjashtimin e paprecedentë të 23 deputetëve të opozitës brenda një muaji. Nevojiten standarde më të larta etike në punimet e Kuvendit për të nxitur një dialog politik më konstruktiv midis opozitës dhe mazhorancës”.

SHKARKO APP