Progres-raporti për Kosovën: Zbatim urgjent të marrëveshjeve me Serbinë
Në progres-raportet që miratohen në Bruksel në fund të këtij muaji, por sipas draftit Komisioni Europian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që, pa vonesa, të hedhin hapa për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, si dhe të detyrimeve të tjera, të dala nga procesi i dialogut.
Të dyja palëve u rikujtohet se rrugëtimi i tyre drejt BE-së është i kushtëzuar me procesin e normalizimit të raporteve qe tani eshte edhe zyrtarisht detyrim për të dy vendet. Në draft theksohet se Prishtina e Beogradi kanë marrë pjesë në dialog, por nga to kërkohet që të demonstrojnë më seriozisht dhe në mënyrë më konstruktive përkushtim për të ecur përpara.
Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që t’i shmangin veprimet dhe retorikën nxitëse, që rrezikojnë stabilitetin dhe nuk janë në përputhje me dialogun dhe pajtimin. Si pengesë në procesin e normalizimit përmendet mungesa e hapave nga ana e Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë autoret e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, por edhe mungesa e hapave konkretë nga Kosova për të nisur procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Procesi i normalizimit të marrëdhënieve vazhdon të ndikohet nga mungesa e hapave të mjaftueshëm nga ana e Serbisë për të siguruar përgjegjësi dhe për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet e dhunshme nga serbët e armatosur të Kosovës ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë, që ishin përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit”, theksohet më tej, teksa insistohet qe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë masa të domosdoshme për t’i kapur dhe për t’i nxjerrë shpejt para drejtësisë autoret e këtyre sulmeve./ REL