Projekt-buxheti për vitin 2024, eksperti: Më i dobëti, do të grumbullohen më pak të ardhura

Eksperti i ekonomisë dhe njëkohësisht presidenti i UET-së, Selami Xhepa ka dhënë analizën e tij për projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm dhe mënyrën se si do të ndahet.
Për të do grumbullohen më pak të ardhura se viti i tanishëm. Ndër të tjera ai tha se ky është buxheti më i dobët ndonjëherë dhe se përveç rritjes së pagave për administratën, nuk ka asnjë politikë tjetër sociale.

”Rritja e të ardhurave që është parashikuar për vitin 2024 është poshtë potencialit. Në vitin e ardhshëm do grumbullojmë më pak para se në vitin 2023. Së dyti, kemi rritjen e shpenzimeve që një pjesë do shkojë për rritjen e pagave. Buxheti është tërësisht mediokër, më i dobëti për mua.

Ne kemi historikisht të ardhura që luhaten nga 26-28% të GDP-së. As me vendet e rajonit nuk krahasohemi. A po përmbush qeveria ato reforma që të bëjë të mundur dhe rritjen e pensioneve? Me përjashtim të pagave të administratës, asgjë sociale nuk ka nga ndarja e buxhetit. Janë parashikuar në buxhet që do ketë më pak shpenzime publike për qëllim sociale. Nuk kemi një reformë. Indeksimi për mua nuk është rritje, por ta mbajë në të njëjtin nivel.

Nëse statistikat nuk janë të sakta, ne nuk bëjmë dot politika të sakta. Përtej kësaj ka nevojë për një reformë të pensioneve dhe nënkuptoj që duhen parë me prioritet pensionet më të ulëta. Pensioni mesatar është 15,800 lekë që është absurde. Po ashtu duhet të mendojmë për skema alternative”, u shpreh Xhepa.

SHKARKO APP