Projekti “Shkolla për Shëndetin”. Ministrja Kushi dhe Ambasadori Zviceran të angazhuar në projekte të përbashkëta në fushën e Arsimit
Shqipëria do të zhvillojë projekte të përbashkëta në fushën e Arsimit me Ambasadën Zvicerane në Tiranë.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi është takuar me Ambasadorin e Zvicrës në Tiranë Adrian Maître, në ambientet e MARS, ku kanë biseduar për projektet e përbashkëta në fushën e Arsimit dhe kërkimit shkencor.
“Me Ambasadën Zvicerane në Tiranë kemi vullnetin për të zhvilluar projekte të përbashkëta në fushën e Arsimit dhe Kërkimit Shkencor. Një prej tyre është edhe projekti ‘Shkolla për Shëndetin’, për të cilin diskutuam gjerësisht me Ambasadorin e Zvicrës në Tiranë, Adrian Maître’- shkruan Ministrja.
Ajo nënvizon më tej se të dyja palët do të angazhohen për zbatimin me sukses të kësaj nisme, me qëllim përfitimin nga ana e nxënësve, mësuesve, familjeve e komuniteteve nëpërmjet promovimit të sjelljeve e praktikave të shëndetshme për ushqyerjen dhe aktivitetin fizik.