Projekti “Smart City” në 20 qytete, ministri Balla: Shqipëria do të ketë sistemin më të mirë të kamerave në Europë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla garanton qytetarët e Tiranës dhe 19 qyteteve të tjera të mëdha se shumë shpejt do të kemi një sistem të ri me kamera duke u referuar tek projekti “Smart City”.
”Një prej gjërave që kam konstatuar dhe që më vjen mirë që e kemi adresuar është pjesa që lidhet me monitorimin me kamera të qytetit. Dua ta them këtu që projekti i madh për “Smart City” për 20 qytetet do të na lehtësojë punë sepse nëse do të kishim një mbulim me kamera në të gjithë territorin e qytetit, do ta kishim pasur shumë më të lehtë për t’i identifikuar. Shqipëria do të ketë sistemin më të mirë të kamerave jo vetëm në Ballkani Perëndimor, por më shumë se kaq në Europë”.
Blendi Fevziu: Në ç’kuptim sistemin më të mirë. Sistemin e vendosjes, cilësisë së kamerave, monitorimit?
Taulant Balla: Nuk është kamera në vetëvete sekreti i suksesit, por është pjesa nga mbrapa që shoqëron kamera. Ne sot në Vlorë monitorojmë dhe dimë në kohë reale çdo automjet që hyn në Vlorë. “Smart City” do të na mundësojë që ne kemi mundësi ta identifikojmë në kohë reale se ku gjendet.