Projektligji për ekstradimet, Daci: Absurditet
Në rast miratimi, ndryshimi ligjor që do të lejojë ekstradimin e personave që kanë kryer një vepër penale në Shqipëri, apo dorëzim të përkohshëm të tyre tek autoritetet e huaja konsiderohet si absurditet ligjor nga konstitucionalisti Jordan Daci.
“Në asnjë rast nuk mund të ndodhë kjo gjë. Madje edhe ekstradimi, si nocion, janë plot shtete që nuk e lejojnë ekstradimin e shtetasve të tyre. Ne, jo vetëm që e kemi tejkaluar si standard, por tashmë ne lejojmë ekstradimin edhe kur ka një procedim në Shqipëri. Pra i themi gjykatës se ti s’je e zonja për ta gjykuar, do ta gjykojë njëherë një gjykatë e huaj, pastaj merru ti”.
Nga ana tjetër, ai nënvizon se projektligji nuk duhet të miratohet, pasi cenon sovranitetin e gjyqësorit në vend. Në projektligjin e miratuar nga qeveria parashikohen 22 ndryshime të ligjit të deritanishëm për “për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”.