Prokurimet në kushtet e emergjencës, SPAK hetime intensive për dy ministritë

Pas denoncimeve të Partisë Demokratike për tenderat sekret në kushtet e pandemisë, Prokuroria e Posaçme Antikorrupson ka bërë me dije se po kryen hetime intensive.  Gjatë kësaj periudhe SPAK ka regjistruar  gjithësej 42 procedime, ndërsa ka përfunduar hetimet duke i dërguar në gjykatë 37 procedime te tjera.  

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion po kryen hetime intensive për procedimet që kanë si objekt prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe nga Ministria e Shëndetësisë me procedurë të klasifikuar ″Sekret″.

Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga vete SPAK, i cili ka bëre bilancin e punës së këtij institucioni  në kushtet e  kufizimit nga  pandemia,  nga 9 marsi  dhe deri në 30 prill. Pak dite me parë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri me dije se ka ngritur grupe punë për të verifikuar denoncimet e bëra  nga  Partia Demokratike në lidhje me këto tendera.

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe 50 ditore  SPAK ka regjistruar  42 procedime penale.  Ndërkohë që janë përfunduar 37  te tjera që kishin nisur me parë.

Për 8 procedime me 42 të pandehur është dërguar kërkesa për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Janë dërguar për gjykim 4 grupe të strukturuara në fushën e krimit të organizuar, që lidhen me aktivitete të kundraligjshme në fushën e trafikut të drogës, trafikimit të shtetasve dhe vjedhje në grup të kryera në territorin e një shteti të huaj.

Gjithashtu behet me dije se është  dërguar për gjykim edhe çështja për  ish- Prokurorin e Përgjithshëm, si dhe tre raste korrupsioni të shtetasve të ndryshëm të akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Për 3 procedime penale me 1 të pandehur, është dërguar kërkesa për pushim të hetimeve në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për 18 procedime penale, për mungesë kompetence, është vendosur transferimi i tyre në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.  Gjithashtu SPAK gjatë kësaj periudhe ka dërguar moskopetence ne prokuroritë e rretheve 8 procedime, ndërsa i është dhënë zgjidhje ligjore të gjitha kërkesave të ardhura nga OFL.

Gjithashtu SPAK ka zhvilluar gjatë kësaj periudhe edhe hetimin  proaktiv  për korrupsion, në ngarkim të funksionarëve të paraburgimi “Jordan Misja”, Tiranë.

/Ora News

 

SHKARKO APP