Prokurorët hollandezë në Tiranë për supërvrasjen e Bulevardit

 

Tashmë nuk ka më asnjë dyshim. Vrasja e ndodhur pasditen e 27 majit në bulevardin “Zogu I” është e lidhur me vrasjen e Durim Sulkut më 6 prill të këtij viti, në Roterdam të Hollandës. Një grup prokurorësh hollandezë që kanë hetuar dosjen e Sulkut kanë mbërritur në Tiranë për të shqyrtuar të dhënat e mbledhura nga prokuroria shqiptare për vrasjen e Mentor Doçit (Lufit), Gerti Goxhajt dhe Besnik Sulkut, vëllait të Durimit. Hetimet për dy ngjarjet do të vazhdojnë nga një grup i përbashkët hetimor i prokuorëve hollandezë dhe atyre shqiptarë. Ky grup do të marrë edhe një herë në pyetje vëllezërit Markeljan e Klejvi Doçi, nipërit e Mentor Doçit, të cilët vranë Besnik Sulkun në përplasjen me armë në Tiranë. Në pyetje do të merret edhe Salvatore Lettizia, italiani që organizoi atentatin ndaj Mentor Doçit në bashkëpunim me Besnik Sulkun.

Prokurorët e Roterdamit dyshojnë se konflikti ka ardhur si pasojë e prishjes së pazareve të drogës. Mbetet i paqartë roli i italianit Lettizia, i cili njihet si vrasës profesionist i një prej klaneve të Camorra –s, në Itali. Në dëshmitë e tij ai ka deklaruar se gjendej në Shqipëri për të marrë pjesë në një ceremoni që familja Suklu zhvillonte për djalin e vrarë në Hollandë, të cilin ai e kishte patur mik.

 

Policia deklaroi pak ditë pas vrasjes në Tiranë se ajo ishte për motive hakmarrjeje. Dyshimet i çuan hetuesit në Roterdam, ku më 6 prill, në parkingun para pallatit ku banonte, u ekzekutua me 4 plumba Durim Sulku.

Autorët dyshohet të jenë vëllezërit Markeljan e Klejvi Doçi. Markeljani rezulton të ketë udhëtuar disa herë drejt Hollandës dhe të ketë qenë në këtë vend në kohën  e vrasjes së Durim Sulkut. Deri tani ai nuk ka pranuar autorësinë, por mësohet të ketë thënë se ishin në konflikt me vëllezërit Sulku.

SHKARKO APP