Prokurori i antimafias italiane Nicola Gratteri: Mafiozët përdorin gjithnjë e më rrallë armët

Pandemia Covid 19 po shfaqet si një mundësi e artë për mafien italiane por dhe për të gjitha mafiet e grupet kriminale mafioze në Europë e në botë, për t’u infiltruar në ekonominë e ligjshme e për të ricikluar paratë e pista të përfituara nga aktiviteti i tyre kriminal.

Prokurori i Antimafias italiane  Nicola Gratteri, një nga emrat më të rëndësishëm të luftës kundër mafies kalabreze Ndrangheta gjatë një bisede me korrespondenten e RTV Ora në Romë, Alba Kepi ka deklaruar se “mafiozët nuk janë marsianë, jetojnë mes nesh e përdorin gjithnjë e më rrallë armët për të mos tërhequr vëmendjen ndaj tyre. Në emergjencën pandemike sa më shumë vonohet shteti e administrata publike në aplikimin e masave ndihmëse për ekonominë e vendit, aq më i madh është rreziku që mafia të blej gjithçka në çdo sektor që është në krizë ekonomike”.

Alba Kepi:Prokuror keni deklaruar së fundmi se është në akt një strategji e re mafioze , që lëviz “nën gjurmë”. Çfarë nënkupton kjo e a janë mafiet e huaja pjesë e kësaj strategjie?

Prokurori i Antimafias Nicola GratteriMafiet ndryshojnë e transformohen ashtu siç ndodh dhe me ndryshimin e transformimin që pëson shoqëria. Siç zhvillohet shoqëria, ashtu përparon dhe mafia. Në sjelljen e përditshme, në zakonet, mënyrën e jetesës, mafiet ngjajnë gjithnjë e më shumë me ne. Mafiozët nuk janë marsianë e jetojnë mes nesh. Duhet thënë se në botën e zhvilluar vihet re një reduktim i fortë i nivelit të moralit e të etikës me pasojë lehtësimin e sistemit korruptiv në administratën publike e të nëpunësve shtetërore.

Ky fakt nuk ka prekur vetëm Italinë, por të gjithë botën perendimore, ka prekur mentalitetin e njerëzve, mënyrën e tyre të të menduarit e të sjellurit. Falë të ardhurave të mëdha që kanë nga aktiviteti i tyre i paligjshëm e  kryesisht nga trafiku i drogës, mafiet preferojnë më shumë të korruptojnë se sa të përdorin armët. Të përdorësh armët do të thotë të tërheqësh vëmendjen e  njerëzve, të forcave të rendit apo të denoncohesh e mafiozët po e evitojnë gjithnjë e më shumë këtë mënyrë veprimi.

Kjo  gjë vështirëson dallimin e personave mafiozë nga ata që nuk janë të tillë. Korrupsioni e të korruptosh nuk bën zhurmë. Mafia ngjan gjithnjë e më shumë me ne, është gjithnjë e më e mikpritur në sallonet e mira të shoqërisë  e në klasat e larta sociale. Rreth një tavoline mund të gjesh të ulur si profesionistin ashtu dhe mafiozin, gjë që vite më parë nuk ekzistonte. Njerëz të padyshuar mund të jenë mafiozë e gjithnjë e më shpesh të infiltruar në shoqërinë normale qytetare.

Alba Kepi: Prokuror në këtë situatë kritike social-ekonomike shkaktuar nga pandemia, cilat janë aksionet më të rrezikshme që kryhen nga grupet kriminale mafioze?

Prokurori Nicola Gratteri: Në këtë moment krize ekonomike që ka përfshirë sidomos sipërmarrësit, tregtarët, hotelet, restorantet, shumë prej tyre në vështirësi kërkojnë para me fajde për mos falimentuar, apo shesin e zhvlerësojnë aktivitetet e tyre. E ky është një avantazh për mafien. Sa më e madhe të jetë vonesa që vjen nga shteti apo nga administrata publike për të ndërhyrë konkretisht në ndihmë të kësaj vështirësie ekonomike, aq më e lartë është mundësia që mafia të blej gjithçka që është në shitje.

Në këtë kontekst mafia është përsëri në avantazh pasi ka para në dispozicion për të arritur para shtetit, pasi nuk ka nevojë të respektoj protokolle ose praktika administrative. Prandaj dhe shteti duhet të jetë më i shpejtë në veprim pasi rreziku është  që grupet mafioze të marrin në zotërim sektorë të tërë të ekonomisë ose duke i blerë aktivitetet, ose duke i mbajtur nën kërcënimin e fajdeve ose duke ruajtur në mënyrë fiktive emrin e të njëjtit pronar por që në të vërtetë shndërrohet në një ‘prestanome’, pasi biznesi i është gllabëruar nga mafia. 

Ministria e Brendshme italiane e autoritetet e antimafias në fokusin e krizës pandemike kanë shpërndarë për të gjitha prefekturat e vendit një dosjer informativ mbi sektorët e ekonomisë më të rrezikuar nga marrja nën kontrollin e mafies. Dhe përveç turizmit, hotelerisë e restoranteve, rrezik paraqet dhe sektori i furnizimit të sipërmarrjeve të vogla e të mesme. “Në kushtet e një deficiti likuiditeti shumëfishohen propozimet për financime të paligjshme ndaj sipërmarrësve” nënvizon ky dosjer.

“Për këtë duhet një sistem informativ e investigues i qëllimshëm për të ndalur këto skenare. Mafia vepron e shfrytëzon plagët më kritike të shoqërisë”-

SHKARKO APP