Prokurori i çështjes “Pjerin Xhuvani” kalon vettingun, nuk iu konstatuan probleme
Prokurori i Elbasanit, Alfred Shehu u konfirmua në detyrë nga ana e komisionit të pavarur të kualifikimit, këtë të enjte.
Në një seancë dëgjimore të zhvilluar dy ditë më parë, KPK bëri me dije se Shehu duhej të justifikonte një shumë prej 129 mijë lekësh në një transaksion mes anëtarëve të familjes dhe 1.4 ml lekë nga blerja e një apartamenti.
Vetë prokurori e argumentoi këtë bilanc si pasojë e mos-llogaritjes së kursimeve dhe të ardhurat e nënës së tij.
Alfred Shehu është prokuror i çështjes së vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
Emri i tij u lakua nga Partia Demokratike për kontradikta mes deklarimeve ne lidhje me ngjarjen.
Në deklaratën e dhënë ne polici, Shehu tha se nuk u gjetën materiale në makina që implikonin personat e përfshirë në vjedhje vote, ndërkohë selia blu postoi një video ku në një seancë gjyqësore pas ngjarjes, Shehu deklaronte të kundërtën.
Në detyrë gjithashtu u konfirmua dhe gjyqtarja e Tiranës, Migena Laska.
Më herët, nga analiza financiare e kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ajo nuk justifikonte një shumë prej 327mijë lekësh.
Këtë të enjte në seancë dëgjimore doli dhe gjyqtari i Tiranës Erjon Bani.
Sipas hetimeve të realizuara nga KPK, ai rezultoi pa probleme në të tre kriteret e vlerësimit, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësive profesionale.