Prokuroria e do në burg, Vladimir Gjuta: Respekt për kryeministrat Edi Rama dhe Sali Berisha
Gjykata Penale e Tiranës do të japë nesër masën e sigurisë për Vladimir Gjutën.
Prokuroria ka kërkuar arrest në burg për të për dy akuza, armëmbajtje pa leje dhe pastrim parash.
Por vetë Gjuta ka deklaruar se sasinë e parave prej 130 mijë euro do ti kthente në dollarë për hapur një firmë bashkë me babanë e tij.
“Paratë nuk kanë lidhje me aktivitet kriminal por nga biznesi që kam patur” ka thënë ai.
Sa i takon pistoletës, është shprehur se e mbante për vetëmbrojtje duke qenë se kishte me vete një shumë të konsiderueshme monetare.
Gjuta është shprehur se nuk ka lidhje me ndonjë atentat, ndërsa ka shtuar se kryeministrat për të cilët ka respekt janë Sali Berisha dhe Edi Rama.
Gjuta gjithashtu ka shprehur simpatinë për ish-presidentin amerikan Bush.
Vladimir Gjuta u arrestua dy ditë më parë pranë një pike këmbimi valutor pranë selisë së PS.
Uniformat blu i kanë sekuestruar të dyshuarit shumat prej 121 mijë euro, 27.500 dollarë amerikanë, rreth 23 mijë paund anglez dhe 700 mijë lekë dhe ndaj tij ka nisur hetimi pasuror.
Përveç shumave të parave i është sekuestruar makina tip “Audi A8” e blinduar me të cilën ai qarkullonte.