Prokuroria heton burimin e parave të Alda Klosit, kalon në skaner edhe xhaxhai
Ku i gjeti Alda Klosi, ish-zyrtarja e shtetit 120 mijë euro-t që i denoncoi të grabitura e që u vodhën nga pastruesja Rozeta Dobi? Për të dhënë përgjigjen, Prokuroria e Tiranës po heton burimin e parave.
Duke marrë parasysh pretendimin e saj se paratë që i vodhi pastruesja dhe i biri, Rozeta dhe Havier Dobi, ia kishte lënë xhaxhai për t’i mobiluar banesën, hetuesin kanë vendosur që ta verifikojnë deri në fund. Ndaj kanë nisur që të kontrollojnë pasurinë e xhaxhait të saj, që sipas Klosit ndodhet në Amerikë ku edhe po kurohet nga një sëmundje e rëndë.
Mbetet për t’u parë nëse xhaxhai i Alda Klosit do të pranojë se paratë e vjedhura janë të tijat dhe nëse mund që t’i provojë se vijnë nga burime të ligjshme.
Mister mbetet se kujt i përkasin 400 mijë eurot e tjera të gjetura në shtëpinë e Rozeta Dobit dhe për sendet me vlerë që ajo thotë se i ka marrë në disa shtëpi ku punonte.