Prokuroria i kthen celularin Kejvina Kthellës, por i mban makinën
Vetëm një ditë pas kërkesës së Kejvina Kthellës në Gjykatë e Krimeve të Rënda, gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se Prokuroria ka vendosur t’i kthejë modeles celularin.
Raportohet se prokurorët kanë këqyrur telefonin e saj dhe kanë arritur në përfundimin se nuk ka interes më për hetim.
Ndërkohë, Prokuroria ka vendosur të mos i kthejë Kthellës automjetin, të cilin e konsideron si provë.
Kujtojmë që sekuestrimi e mjetit, celularit dhe llogarive bankare të Kthellës u bë për llogari të hetimit të atentatit ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoj.
Kthella rezultoi se kishte njohje me personin e vetëm të arrestuar deri më tani si autor i atentatit, Redjan Rraja. Pas arrestimit të Rrajës, policia mori në pyetje vajzën e njohur të showbizit shqiptar, për ta pyetur lidhur me lëvizjet e tij para atentatit, pasi në telefonin e 34-vjeçarit u zbuluan telefonatat e shpeshta me Kthellën.
Në atentatin te mbikalimi i Shkozetit mbeti i plagosur prokurori Ndoj, Aleksander Laho alias Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi” i Shijakut, dhe Andi Maloku. Ky i fundit ndërroi jetë pak ditë më pas.