Prokuroria: Të konfiskohen 3.5 mln lekë bono, u investuan në BSH nga droga

Prokuroria për Krimet e Rënda ka kërkuar bllokimin e 3.5 milionë lekë të reja bono thesari të investuara në BSH në emër të Zenepe Cenaj nga Shkodra.

Sipas Prokurorisë, këto lekë janë përfituar nga nga aktivitet i paligjshëm i djalit të saj Ylber Cenaj, i arrestuar në Francë për trafik droge.

“Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga gjykata konfiskimin e shumës 3.5 milionë lekë të reja, të investuara në bono thesari pranë Bankës së Shqipërisë nga ana e shtetases Zenepe Cenaj, banuese në Shkodër, pasi është provuar se këto para ajo i ka përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i djalit të saj, Ylber Cenaj, i arrestuar në Francë për “trafik lëndësh narkotike”.

Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për hetim pasuror, pasi informacionit të mbërritur nga autoritetet franceze mbi arrestimin e shtetasit Ylber Cenaj. Sipas të dhënave nga Franca, ky shtetas, sëbashku me 25 shtetas të tjerë, janë arrestuar në kuadër të një operacioni të zhvilluar në qytetin e Perige (pranë Bordos), Francë, në të cilin policia franceze ka zbuluar një rrjet që trafikonte dhe shpërndante lëndë narkotike cannabis, kokainë, etj., në lokalet e natës së zonës.

“Sipas autoriteteve franceze, aktiviteti i këtij grupi shtrihet të paktën që prej vitit 2011. Pikërisht, në këtë kohë, shtetasi Ylber Cenaj ka dërguar në Shqipëri një sasi parash, të cilat janë investuar nga e ëma e tij në bono thesari pranë Bankës së Shqipërisë. Nga hetimi i kryer prej Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se shtetasja Zenepe Cenaj nuk ka pasur asnjë mundësi reale që të krijojë të ardhura. Për këtë arsye, Prokuroria ka krijuar bindjen e plotë se paratë e investuara prej saj kanë prejardhjen nga veprimtaria kriminale e të birit, shtetasit Ylber Cenaj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

SHKARKO APP