Pronarët e lokaleve të dasmave në Sukth ngrihen në protestë: E kemi plotësuar protokollin, na vënë vetëm gjoba
Pronarët e lokaleve të dasmave në zonën e Sukthit, janë ngritur në protestë ditën e sotme për shkak të gjobitjeve të shumta gjatë sezonit veror.
Pavarësisht situatës së Covid-19, protestuesit kanë deklaruar se ata janë përpjekur të ndjekin rregullat e distancimit social dhe të marrjes së masave për dezinfektim, por të gjitha kanë qenë të kota pasi janë gjobitur në shumë raste. Përfaqësuesit e bizneseve te paralizuara të Sukthit theksuan se policia ka marrë urdhra për të mos i lejuar të bëjnë dasma, ndërsa klientët e tyre tashmë i kanë bërë dasmat po në lokale në qytete të tjera si Durrës, Kavajë, Shijak, Tiranë etj.
Ata i bënë thirrje shtetit dhe ministrisë së Shëndetësisë që të hartojnë një protokoll për mënyrën sesi duhet të organizojnë dasmat.
“Të dimë nëse duhet të kemi 50 apo 100 të ftuar, por jo kështu! Të sjellin vetëm gjoba dhe ndërkohë nuk na thuhet se sa persona lejohen apo si t’i organizojmë. Dasmat tona bëhen në Shijak, Durrës, Maminas, Kavaje dhe tek ne vijnë dhe vendosin gjoba. Jemi 12 lokale që punojmë vetëm me dasma dhe jemi të gjithë pa punë”, tha një prej protestuesve. Ndërkohë, një tjetër pronar lokali tha se kishte ardhur në Shqipëri për të ndërtuar një biznes.
“Kam punuar 30 vjet jashtë shtetit, u ktheva të ndërtoja biznes këtu. Tani të paguajmë gjobat kështu dhe të mos merret asnjë masë, nuk ka kuptim.”, tha ai.