Pronarja e hotelit në Himarë që i doli makinës para: Donin të më shypnin, më ofenduan vajzën dhe më shkaktuan dëm

Në Livadh të Himarës ndodhi një tjetër ngjarje si ajo e Mihalit. Një video është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, aty ku shihet një punonjës i hotelit që i ka dalë para makinës së turistëve, për t’i penguar të ikin pa paguar. Katerina Joshi, pronarja e hotelit ku ndodhi incidenti me pushuesit, thotë se ata kishin dëmtuar sendet në dhomë dhe nuk pranonin të paguani dhe nxitonin të largoheshin pa ardhur policia.

”Që në orën 9 pa ca të mëngjesit donin të iknin. I thotë vajza në recepsion për pagesën. Ne do ikim i thotë vajzës. Zotëria e shau vajzën time me fjalët më banale. Kamerat ka ardhur policia i ka marrë. Donin të kalonin me makinë mbi trupin tim. Zotëria që duket në video (që pengon makinën të lëvizë) i tha po pate bërë dëm, hajde ta paguash. I kisha thënë prisni të vijnë organet përkatëse, isha ulur në mes të rrugës, ata më shtynë tre katër metra me makinë. Kishin një fëmijë 2-3 vjeç me vete që u tmerrua. Videon me çarçafët e djegur ma kanë dërguar ata duke më shantazhuar, është video e prerë, jo e plotë”,-tha ajo për emisionin ”Ftesë në 5”.

Pronarja e hotelit thotë se ka bërë kallëzim në polici dhe kërkon dëmshpërblim. “Policia ka ardhur pasi kishin ikur ata. Me policinë e rendit shkojmë në hotel. Bëmë kallëzim penal. Dua të më shpërblehet dëmi që më është bërë në pronën private dhe shqetësimi familjar, sepse është biznes familjar. Jam Katerina dhe jam krenare për bizneset që kam ngritur me mund. Atë mënyrën e arrogancës nuk e toleroj, unë jam grua dhe kam vajzën 33-vjeçe, nuk lejoj njeri të më injorojë dhe të më shkelë në karakterin tim. Na njeh Himara dhe gjithë Shqipëria”.

SHKARKO APP