Pronat në Kushtetuese, Nishani: Ligji s’justifikon hartën e vlerës
Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin në një seancë të hapur të kërkeses se Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, me objekt shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, si dhe pezullimin e zbatimit të këtij ligji.
Krahas kërkesës së Presidentit, Kushtetuesja po shqyrton kërkesat e depozituara për ligjin e pronave nga Partia Demokratike, Partia Republikane, Kuvendi, Kryeministria dhe katër shoqatat e ish-pronarëve.
Përfaqësuesja e Presidentit deklaroi në seancë se ligji i qeverisë për pronat është antikushtetues dhe bie ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“Ligji i qeverisë është antikushtetues, bie ndesh me konventën europiane të të drejtave të njeriut. Qeveria duhet të justifikonte hartën e vlerës së përdorur”, u shpreh saktësisht ajo.
Sakaq, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e argumentoi qëndrimin kundër të opozitës me faktin se ligji sipas tij i kthen pronarët në vitin 1945.
“Ligji nuk njeh konceptin e kthimit të pronës. Kompensimi duhet të bëhet me vlerën e tregut. Opozita e kundërshton, pasi ligji i kthen pronarët në vitin 1945. Nuk lejon kompensim me vlerën e tregut kur prona është zënë”, u shpreh ai.
Kuvendi rrëzoi dy muaj më parë (21 janar) dekretin e Presidentit që ktheu për rishqyrtim në parlament ligjin në fjalë, duke lënë në fuqi atë të miratuar më 4 dhjetor në seancë parlamentare.
Por, Kreu i Shtetit më pas e vijoi betejën ligjore duke e ankimuar ligjin në Gjykatë Kushtetuese.
Në argumentat e tij për këtë nismë, kreu i shtetit këmbëngul se ai është antikushtetues.
Sipas Bujar Nishanit, ligji cënon parimet bazë të sigurisë juridike dhe barazisë para ligjit.
“Ligji, në tërësinë e tij, cënon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut”, citonte kreu i shtetit.
Presidenti më tej e vë theksin tek rëndësia impakti madhor që ka ky ligj te qytetarët ndërkohë që është cilësuar si një nga prioritetet kyç për hapjen e negociatave me BE-në. Ligji është kundërshtuar edhe nga ish-pronarët.
Ata protestuan para Kuvendit ndërsa në sallën e seancave plenare diskutohej dekreti i Presidentit për rishqyrtim të draftit. Edhe ish-pronarët paralajmëruan ankimim në Gjykatën Kushtetuese.
KOHA JONË SONDAZH

