”Propagandë me rindërtimin”, Zhupa: Sa fiket kamera ndërpritet puna

Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj mazhorancës se vijon të bëjë propagandë me projektet e saj për rindërtimin dhe premtimet për ngritjen e aeroporteve të reja në Kukës e Vlorë.

Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa shprehet se aty ku shkon kryeministri shkojnë dhe mjetet e rëndë, por se sapo fiket regjia, puna ndërpritet. Zhupa ka publikuar dhe disa foto me anë të të cilave kërkon të vërtetojë deklaratën e saj se pas aktivitetit të kryeministrit në sheshet e rindërtimit ndërpritet puna.

“Edi Rama dhe shpura e tij e propagandës, pasi hoqi foltorën nga rrënojat e shkollës Sami Frashëri, me foltoren në krahë u ndal dje në rrugën 5 Maji, ku preu shiritat e një tjetër kantieri. Sot me të njëjtin podium u shfaq në Kukës në aeroportin që sa herë shkon ai, mjetet e rënda të nisura nga Tirana, ndizen sa për daljen live të kryeministrit në ikje. Por përtej transmetimeve me regji qendrore, në gërmadhat ku shfaqet nuk punohet më. Sapo fiken kamerat, punëtorët ikin dhe makineritë heshtin. Kështu ndodhi në shkollën Sami Frashëri, dhe po kështu sot në rrugën 5 maji ku u prezantua në 3D kompleksi i banimit”, shkruan Zhupa.

SHKARKO APP