“Propozimet erdhën vetëm nga partitë e opozitës”, Malaj: Pse vendosa të mos jem pjesë e garës më 25 Prill

Ish ministri socialist, aktualisht pjesë e Partisë Agrare Ambjentaliste, Arben Malaj, në një intervistë për gazetaren Matilda Mcini në Ora News, komentoi arsyen pse vendosi të mos jetë pjesë e garës më 25 prill.

Matilda MciniNuk do të jeni pjesë e listave të kandidatëve më 25 prill, pse ky vendim?

Arben MalajUnë e bëra të qartë dhe ky ka qenë gjithmonë qëndrimi im. Dhe kolegët në PS e kanë të qartë. Nga qëndrimet që mbaja asnjëherë nuk kam synuar që të jem patjetër deputet apo patjetër ministër. Aq më pak ministër dhe shpesh kemi pasur debate. Sepse nëse mendon të shërbesh vendit tënd me integritet, me dashuri, me profesionalizëm, nuk është e nevojshme të jesh deputet. Qeverisja e një vendi është shumë më e gjerë se qeveria.

Kur i thashë që kam një intervistë te Ora News, një miku im më tha: “Po thuaje që pasi bëre një program të veçantë lidershipi nga Harvard, mbete i papunë. Aktualisht, pas shkarkimit hakmarrës nga Banka e Shqipërisë  unë zyrtarisht jam i papunë, pavarësisht se e gjej veten në sistemin privat apo mësimdhënie…

Matilda MciniKa ndikuar edhe prezenca juaj te Ora News?

Arben Malaj: Jo vetëm. Unë jam krenar që protestova për mosprishjen e Teatrit Kombëtar dhe do ta kem pjesë të krenarisë sime që nuk vura thjesht faktin që mos shqetësohen udhëheqësit e partisë por reagova si qytetar. Kam reaguar si qytetar edhe kundër dhunës ndaj individëve që shesin rrugëve të Tiranës dhe nuk mbijetojnë, kundër kapjes dhe korrupsionit të shtetit dhe këto nuk i kam bërë për vete. Do të më vinte në një pozicion shumë të vështirë me njerëzit që më duan, më respektojnë dhe ndjej respektin e tyre dhe nga ana tjetër të shoh si të mbijetojë vetë në politikë.

Në këto konkurrime nuk pranova. Dua të falënderoj se propozimet erdhën vetëm nga partitë e opozitës. Nuk erdhën nga partitë e tjera. Por unë mendova ti shërbej më mirë vendit edhe në angazhime publike sepse dua të ndaj me shqiptarët një lloj ndjekjeje pozitive që ne mund ti kapërcejmë të gjitha sfidat. Nuk jam pjesë e atyre që duan të mbjellin pesimizëm por kapërcimi i krizave të thella që janë bërë më të thella nuk bëhet duke përqendruar më shumë pushtet në pak individë dhe duke fokusuar programin ekonomik te 3-4 kompani apo disa oligarkë…

SHKARKO APP