Propozimi i KQZ për kryebashkiakët, Kume: Zgjedhja nga Këshilli, shkëput lidhjen me komunitetin
Sipas ish kreut të KQZ-së, Kristaq Kume, parimi i shprehjes së lirë të vullnetit të votuesit me anë të votës cënohet me propozimin e hedhur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, që Kryetarët e bashkive do të ishte mirë sikur të zgjidheshin nga Këshillat Bashkiakë, dhe jo më drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve.
Zgjedhja e kryetarit të bashkisë nga ana e Këshillit Bashkiak, siç parashikon një propozim i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që po diskutohet, do të shkëpuste lidhjen e komunitetit me të zgjedhurin.
I këtij mendimi është konstitucionalisti, Kristaq Kume i cili shprehet, se demokracia me përfaqësim në themel ka ftesën e qytyetarëve për të zgjedhur me votë kreun e qeverisjes vendore.
Kristaq Kume, konstitucionalist: Produkti që sillet nuk është se do të jetë më i mirë nga ai që kemi sot, por përkundrazi, pritshmëria ime është që produkti që mund të sillet nga organe të zgjedhura sipas këtij propozimi, do të jetë më larg plotësimit të interesave të zgjedhësve të komunitetit, sesa mund të realizohet me këtë mënyrë që kemi sot. Ai që merr të drejtën, të ketë lidhje sa më të ngushta me atë që i jep të drejtën, zgjedhësit dhe të zgjedhurit, dhe jo të ketë lidhje indirekte: Zgjedhësi-Partia-i Zgjedhuri.
Kume shton, se një praktikë e tillë do të sillte rritje të ngarkesës politike në organet e qeverisjes vendore.
Kristaq Kume, konstitucionalist: Nëse veprohet kështu si propozohet, ngarkesa politike që marrin këto organe rritet shumë më tepër sesa aktualisht e kemi. Nuk është normale, pasi të zgjedhurit e organeve të pushtetuit vendor nuk janë aty ëpr të bërë politikë, por për të zbatuar atë që bën politika në nivel qëndror dhe për të gjetur zgjidhje për problematikat e komunitetit.
Ai thekson, se zgjedhja sipas propozimit të KQZ-së do ti jepte mundësi vendosje partisë politike apo kryetarit të saj, siç ndodh me listat e kandidatëve për deputetë apo anëtarë të këshillave bashkiakë.
Kristaq Kume, konstitucionalist: Nëse vendoset të veprohet në këtë mënyrë, që kryetari i Bashkisë të jetë produkt i vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, as më shumë e as më pak, i jepet edhe për organet e qeverisjes vendore, mundësitë ëpr të vednosur se kush do ta administrojë komunitetin partisë politike, ose më mirë kryetarit të partisë.
Kryetarët e bashkive, sipas nje ideje të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, do të ishin mirë sikur të zgjidheshin nga Këshillat Bashkiakë dhe jo më drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve.
Kete variant edhe pse jo si dokument zyrtar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia ka dërguar dy bashkëkryetarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashit dhe Blendi Çuçit, përfaqësuesve të Shoqërisë civile dhe vëzhguesve të OSBE-ODIHRit, ambasadave të SHBA-së dhe BE-së.
Reforma Zgjedhore, sipas KQZ-së, duhet të shikojë si mundësi ndryshimin të sistemit zgjedhor aktual në zgjedhjet lokale, duke e bërë atë një sistem proporcional vendor.

/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

