Propozimi për uljen e pagave, PD: Eksperiment i rrezikshëm i një kryeministri të dështuar

Fotomontazh i publikuar nga sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi

Partia Demokratike e cilëson eksperiment të rrezikshëm propozimin që vjen nga PS për uljen e pagave dhe pensioneve, me qëllim përballimin e krizës ekonomike të koronavirusit.

Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, në një reagim në Facebook shprehet se ideja e uljes së pagave është propozim kriminal. “Edi Rama ka  nisur një eksperiment të ri dhe shumë të rrezikshëm me shqiptarët. Përmes Ilir Beqajt, një nga ministrat e tij më të diskretituar si të korruptuar, Edi Rama propozon uljen e pagave në sektorin publik e privat, si mënyrë për të furnizuar qeverinë me parà. Një propozim kriminal dhe i papranueshëm për çdo qeveri, që vendos të parin interesin e qytetarit”,- shprehet Bardhi.

Sekretari i PD-së shton se kriza ekonomike mund të përballohet me anulimin e koncesioneve dhe jo duke futur duart në xhepat e qytetarëve. “Ditën kur propozon uljen e pagave të qindra mijëra njerëzve, Edi Rama ka paguar për PPP mafioze të inceneratorit  të Tiranës 650 mijë euro. Po të mos kishte hallin e biznesit të vet me mafian e plehrave, me kaq parà, Edi Rama mund të kishte siguruar pagën e 3125 njerëzve të mbetur pa punë.  Qeveria ka akoma të paktën 220 milionë euro të paprekura nga koncesionet korruptivë dhe shpenzimet e luksit që ka planifikuar për këtë vit”,- shprehet Bardhi.

Sipas tij, “qeveria ka parà, por Edi Rama nuk heq dorë nga pagesat për aferat e pista, duke paguar klientët e tij me paratë e shqiptarëve. Vetëm për kompanitë e Ministrit më të keq të Shëndetësisë në të gjitha kohërat, Edi Rama ka paguar 40 milionë euro në 6 vjet. Prandaj, e përdor tani Ilir Beqajn për të testuar qytetarët deri ku mbajnë”.

SHKARKO APP