Propozimi për zv.ministre/Gjonaj: Rama më tha se i kam hyrë detit në këmbë
Në ditën e dytë të Kongresit të PS-së, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë fjalës së saj, tha se lufta kundër krimit do të vazhdojë në kuadër të Reformës në Drejtësi. Nga ana tjetër, Gjonaj kujtoi ditën kur kryeministri Edi Rama i kërkoi të bëhej zv. ministre. ”Nuk e harroj ku Rama në maj të vitit 2017 më propozoi të bëhesh zv. ministre e Drejtësisë kur më tha: E di që do më thuash jo por mos e thuaj pa e menduar. Ti je pjesë e atyre që i ke hyrë detit në këmbë për Reformën në Drejtësi. Pavarësisht të gjitha peripecive përfshirë edhe ato që krijohen brenda shpirtit dhe brenda familjes, sikur 100 herë të kthehesha mbrapsht, prapë do i bashkohesha këtij fondi”.
Pjesë nga fjalimi
Është nder dhe privilegj të jem në një pikë kycce të frontit të luftës së Reformës në Drejtësi me të keqen e rrënjosur thellë. Rruga ime për të ardhur deri këtu sot ka nisur kur nisi të diskutohej për Reformën në Drejtësi. Nuk e fsheh dot se nuk kam besuar atëherë se do të gjenden shtigjet për të çarë rrugën e kthimit. Nuk e harroj ku Rama në maj të vitit 2017 më propozoi të bëhesh zv. ministre e Drejtësisë kur më tha: E di që do më thuash jo por mos e thuaj pa e menduar. Ti je pjesë e atyre që i ke hyrë detit në këmbë për Reformën në Drejtësi. Pavarësisht të gjitha peripecive përfshirë edhe ato që krijohen brenda shpirtit dhe brenda familjes, sikur 100 herë të kthehesha mbrapsht, prapë do i bashkohesha këtij fondi.
Sikur 100 herë baltë të më duhet të duroj për veten dhe familjen i them vetes se kjo luftë ia vlen dhe është për të ardhmen e këtij vendi dhe qytetarëve tanë. Nuk e thyejnë dot vullnetin e PS për ta bërë Shqipërinë europiane. Ta harrojnë se e pengojnë dot partneritetin me BE dhe SHBA për të bërë realitet çdo ligj për Reformën në Drejtësi. Reforma në Drejtësi ende nuk ka dhënë shumë fryte, por frytet e para kanë sulmuar krimin e organizuar. Populli po fillon të marrë në dorë armën ligjore për të kthyer besimin tek shteti i së drejtës.
E gjithë kjo vepër që kemi ngritur është kontributi më i madh që do të përbëjë një vlerë në vite. Përmbyllja e procesit të institucioneve të reja të pastruara nga llumi do të bëjnë që mandati tjetër për PS do jetë koha e re për futjen në veprim të drejtësisë së re. E vetmja garanci për çdo qytetar socialist apo demokrat jemi në PS. Duke iu falenderuar për këtë moment të veçantë po e mbyll me një frazë të Dritëro Agollit dy ditë përpara miratimit të Reformës në Drejtësi. Kam dëgjuar se mbi 90% e popullit e do këtë reformë. Unë e besoj këtë shifër dhe kur ke popullin me vete është revolucion.