Prostitucion në qendrën e masazhit, arrestohet menaxheri

Një qendër masazhi që përdorej për shfrytëzim prostitucioni është zbuluar nga policia e Tiranës. Në pranga është vënë menaxheri i qendrës së masazhit, shtetasi K. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim pronari i kësaj qendre, shtetasi E. Sh., 23 vjeç.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se në rrugën “Don Bosko” disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga menaxheri dhe pronari i një qendre masazhi, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve”, njofton policia.

Pronari dhe menaxheri i qendrës së masazhit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rekrutonin femra nëpërmjet rrjeteve sociale, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronin ato që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale.

Autoritetet njoftojnë se në vijim të veprimeve u proceduan penalisht edhe 4 shtetase të punësuara në këtë qendër, për veprën penale “Prostitucioni”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP