Protesta, blindohet edhe Kuvendi
Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga PD. Përveç Kryeministrisë, është blinduar edhe Kuvendi. Të dyja anët e Kryesisë së Kuvendit janë rrethuar nga forca policie dhe FNSH. Mbi 1000 efektivë, mes tyre dhe speciale e forcat shqiponja priten të angazhohen për të garantuar rendin e sigurinë gjatë protestës së opozitës. Ndërkohë pas orës 18:00 do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevard kryesor. Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe disa akse rrugore që lidhen me të.
Protesta do të nisë para godinës së kryeministrisë e më pas protestuesit do të shpërndahen nëpër rrugët e Tiranës. Për këtë policia ka marrë masa për bllokimin e 15 akseve kryesore vec bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Sipas njoftimet, krahas bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe “Gjergj Fishta”, pjesë e rrugëve që do të bllokohen janë edhe “Rruga e Elbasanit”, kryqëzimi i “21 dhjetorit”, rreth-rrotullimi i “Zogut të Zi”, rruga “Dritan Hoxha” dhe zona e “Pallatit me Shigjeta”, së bashku me akset rrugore pranë tyre.