Protesta e Berishës, Flutura Açka del me thirrjen e fortë për demokratët
Pak përpara nisjes së protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, deputetja Flurura Açka bën thirrje për qetësi. Açka thotë se kushdo që nxit sot dhunë mes demokratëve do ta dënojë historia. Vetë shkrimtarja e njohur është rreshtuar në krahë të Bashës në përballjen e brendshme në PD.
Postimi i Açkës:
Demokratët janë zemra, jo mure, jo dritare, jo orendi!
Demokratët janë paqja, jo urrejtja, jo linçimi, jo fyerja!
Demokratët janë Liria, jo dhuna, jo djegia, jo shkatërrimi!
Demokratët janë Ligji, jo muskujt.
Demokratët janë Fjala, jo forca.
Në jemi 80 mijë demokratë, por duhet të respektojmë me paqen dhe civilizimin tonë ata 600 mijë shqiptarë që na votuan më 25 prill 2021. Ata, që i kishin varur kaq shpresa te ne, janë të trishtuar të na e shohin aq hapur etjen për të shqyer familjarin tonë, demokratin përballë.
Ata nuk do të na e falin kurrē qoftë një gur të hedhur sot, as qoftë miniaturat e skenarëve dumbabaiste të vitit 1998.
Kush nxit përplasje të demokratëve mes vedi sot, e dënoftë historia!