Protesta e Berishës, Jaupi: Të tregojnë se ku do ta zhvillojnë
Teksa tregoi perimetrin e sigurisë dhe rrugët që do të bllokohen për Samitin e BE-së në Tiranë, drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, tha se Policia e Shtetit u ka kthyer përgjigje drejtuesve të organizatorëve të protestës së paralajmëruar të opozitës në 6 dhjetor, ditën kur do të zhvillohet edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor.
“Pjesa tjetër e bulevardit, sheshi Skënderbej dhe çdo ambient tjetër, është e drejtë e tyre për të bërë njoftimin dhe të na thonë se ku do ta bëjnë”, tha Jaupi, në konferencë për mediat.
Bulevardi Dëshmorët e Kombit është brenda perimetrit të sigurisë së samitit dhe policia nuk ka miratuar kërkesën e opozitës për të zhvilluar protestën aty, por Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë konfirmuar se nuk kanë ndërmend të ndryshojnë vendin e mbledhjes.