Protesta e fermerëve, deputeti i PS del kundër policisë: Jo çdo gjë zgjidhet përmes me gjoba

Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka komentuar gjobitjen e fermerëve në Maliq duke kundërshtuar veprimet e Policisë së Shtetit. Ai thekson se kjo situatë nuk zgjidhet përmes gjobave, por përmes zgjidhjes së problemeve të fermerëve. Sipas deputetit socialist, për shkak të monitorimit të disa baktereve nga Universiteti Bujqësor që merr fonde publike, patatja e Divjakës, e Korçës dhe e Kukësit nuk tregtohet dot në vendet e Bashkimit Evropian.

Dhjetëra fermerë në Maliq u gjobitën me 100 mijë lekë të reja gjatë protestës për mungesën e tregut. Shkak sipas policisë edhe në arsyetimin e gjobave është zënia e sipërfaqes rrugore të aksit Libonik-Drithas, pa leje e pa shkak të arsyetueshëm, duke u bërë pengesë për qarkullimin e lirë të mjeteve.

Sipas fermerëve, për shkak të mungesës së subvencioneve, prodhimi del me kosto më të lartë, ndaj ata konkurrohen nga prodhimet që futen nga jashtë.

“Jo çdo gjë zgjidhet përmes policisë së Shtetit e përmes gjobave, e kam fjalën për bujqit, ata që protestuan sot në Maliq”, thotë Braçe në videon e postuar në rrjete sociale.

SHKARKO APP